Progres- Raporti i KE: Duhen rezultate të prekshme në drejtësi
Komisioni Europian ka publikuar progres-raportin për Shqipërinë për përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe, ku theksi vihet tek reforma në drejtësi. Në raport thuhet se Shqipëria nuk ka përmbushur asnjë nga pesë prioritetet kyçe të BE. Raporti veçon reformën në drejtësi, ku përveç se theksohet se hapat e ndërmarra deri më tani janë të pamjaftueshme, Shqipërisë i lihen disa porosi.

-Përmbledhje

Komisioni Europian ka konkluduar në Progres–Raportin e vitit 2015 se Shqipëria ka bërë progres të qëndrueshëm përsa u përket kritereve politike, duke implementuar dhe konsoliduar reformat në fushën e zbatimin e ligjit. Në reformën e administratës publike Shqipëria ka adoptuar legjislacionin kyç dhe strategjinë gjithëpërfshirëse. Në mënyrë që të jetë në gjendje për të hapur negociatat e anëtarësimit, Shqipëria do të duhet të zbatojë reformat në fushat prioritare, kryesisht me finalizimin e reformës në sistemin gjyqësor. Rezultate të mëtejshme të prekshme janë të nevojshme në fushën e zbatimit të ligjit, duke përfshirë progresin në vendosjen e një historiku të qëndrueshëm të hetimeve pro aktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare në të gjitha nivelet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mbrojtja e të drejtave themelore, përshirë të drejtën e pronës, duhet të forcohet. Një dialog politik më konstruktiv mbetet thelbësor për vazhdimin e procesit të reformave të BE.

-Kriteri politik
Përsa i përket kriterit politik, është thelbësore që të ndërtohet mbi progresin e bërë dhe për të mbajtur ritmin e reformave. Zgjedhjet lokale të qershorit u zhvilluan pa incidente të mëdha. Në dhjetor 2014, parlamenti miratoi një rezolutë që ngazhon mazhorancën dhe partinë kryesore të opozitës në një dialog të vazhdueshëm politik, duke i dhënë fund bojkotit parlamentar të partisë kryesore të opozitës. Reforma e administratës publike avancoi me miratimin e kornizës strategjike dhe miratimin e Kodit të ri të Procedurave Administrative në përputhje me praktikat më të mira evropiane. Ndarja e re territoriale administrative ka hyrë në fuqi dhe korniza strategjike për decentralizimin është miratuar. Për sa i përket sistemit gjyqësor të Shqipërisë, një komision parlamentar ad hoc u krijua për një reformë tërësore dhe gjithëpërfshirëse. Shqipëria miratoi një kuadër strategjik për luftën kundër korrupsionit. Bashkëpunimi policor ndërkombëtar u rrit, veçanërisht në luftën kundër prodhimit dhe trafikut të drogës. Për reformën në administratën publike, duhet ndërtuar një sektor koordinimi funksional dhe një mekanizëm monitorimi, si dhe duhet të sigurohen përgatitjet për hyrjen në fuqi të Kodit të Procedurës Administrative. Kapaciteti financiar dhe administrativ i njësive të reja të qeverisjes vendore duhet të forcohet. Në fushën e sundimit të ligjit, rezultate të prekshme të mëtejshme janë të nevojshme. Hapat e ardhshme vendimtare për një reformë gjithëpërfshirëse të sistemit gjyqësor janë miratimi i një kuadri të ri strategjik, i ndjekur nga hartimi i masave përkatëse institucionale, legjislative dhe procedurale. Përpjekjet e qëndrueshme dhe sistematike dhe zbatimi konsekuent të legjislacionit për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet dhe për shpërbërjen e rrjeteve kriminale janë të rëndësishme. Shqipëria duhet të tregojë përparim me qëllim krijimin e një historiku solid të hetimeve pro-aktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve për korrupsion dhe për krimin e organizuar në të gjitha nivelet. Mbrojtja e të drejtave themelore duhet të forcohet, dhe zbatimi efektiv i legjislacionit dhe strategjive mbi të drejtat themelore dhe zbatimi i tij do të duhet të përmirësohet në përgjithësi. Sa i përket të drejtës për lirinë e shprehjes, Kushtetuta dhe legjislacioni përkatës janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Mjedisi i përgjithshëm është përgjithësisht i favorshëm për ushtrimin e lirisë së shprehjes, por zbatimi më i mirë i legjislacionit është i nevojshëm. Duhet të zbatohen masa për të rritur përfshirjen e romëve dhe mbrojtjen e grupeve të cenueshme. Zbatimi i të drejtave të pronësisë mbetet për t'u siguruar. Procesi i regjistrimit të pronave dhe ai i kthimit dhe kompensimit të pronave nuk kanë përfunduar. Përpjekjet për të sjellë legjislacionin për drejtësinë e të miturve në përputhje me standardet ndërkombëtare duhet të rritet.

-Kriteri ekonomik
Shqipëria ka ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe është përgatitur mesatarisht në zhvillimin e një ekonomie funksionale të tregut. Është bërë progres në përmirësimin e stabilitetit makroekonomik, në përmirësimin e perspektivës së rritjes ekonomike dhe një reformë e menaxhimit të financave publike po zbatohet. Megjithatë, mbeten sfida të konsiderueshme. Shqipëria duhet të ndjekë në mënyrë të veçantë konsolidimin fiskal, përmirësimin e kuadrit të menaxhimit të buxhetit, të trajtojë nivelin e lartë të kredive me probleme dhe të përmirësojë mbjedisin për biznesin, duke forcuar zbatimin e ligjit.
Përsa i përket kapacitetit për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda Bashkimit Europian, është bërë progres në lidhje me arsimin, transportin dhe infrastrukturën energjetike. Megjithatë, një investim i rëndësishëm në kapitalin njerëzor dhe fizik është i domosdoshëm për përmirësimin e konkurrueshmërisë së Shqipërisë. Shqipëria duhet të përmirësojë cilësinë e arsimit të lartë dhe të vazhdojë ristrukturimin e arsimit dhe aftësimit profesional, të miratojë dhe zbatojë strategjitë e transportit kombëtar dhe të energjisë dhe të ulë barrierat jo –tarifore të tregëtisë si mangësitë në sigurinë e ushqimit.

-Përafrimi i legjislacionit me BE
Shqipëria ka vazhduar përafrimin e legjislacionit të saj me kërkesat e BE-së në një numër fushash, duke rritur aftësinë e saj për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit. Vendi është i përgatitur mesatarisht, ose ka disa elemente të përgatitjes në shumicën e fushave, por është ende në një fazë të hershme në fushën e lirisë së lëvizjes për punëtorët, bujqësinë dhe zhvillimin rural, peshkimin, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, shkencën dhe kërkimin, mjedisin dhe ndryshimin e klimës, dhe në mbrojtjen e shëndetit dhe konsumatorit. Shqipëria duhet të bëjë përpjekje të konsiderueshme për të përmirësuar përgatitjet e saj për zbatimin e acquis të BE-së. Shqipëria duhet të vazhdojë punën për zhvillimin e rrjetit të transportit dhe të energjisë në kuadër të axhendës së lidhjes rajonale. Rritja e diversifikimit të burimeve të energjisë dhe funksionimi i tregut të energjisë elektrike janë jetike për zhvillimin ekonomik. Kapaciteti administrativ dhe standardet profesionale të organeve të ngarkuara me zbatimin e acquis duhet të forcohet dhe pavarësia e organeve rregullatore të mbrojtura. Rritja e transparencës dhe llogaridhënies, në veçanti sigurimi i funksionimit efektiv, efikas dhe transparent i sistemit të prokurimit publik dhe menaxhimin e financave publike, mbetet thelbësore. Në fushën e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, raporti vë në dukje se Shqipëria ka harmonizuar, kur u ftua, me të gjitha deklaratat e rëndësishme të BE-së dhe konkluzionet e Këshillit Europian. Ky trend i përafrimit të plotë ka qenë i qëndrueshëm në katër vitet e fundit, duke demonstruar angazhim të fortë nga ana e Shqipërisë për të mbështetur qëndrimet e BE-së për çështjet që lidhen me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. /albeu.com/
Shtuar më 10/11/2015, ora 16:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori