“U bëra lojtari më i mirë brazilian”, Melo: Isha pranë Realit, por ai faull në Kupën e Botës..

Mesfushori brazilian Felipe Melo zbuloi për herë të parë se ishte pranë kalimit te Real Madridi në verën e vitit 2010.

Ish-futbollisti i Juventusit, Fiorentinës, Interit dhe Gallatasarait tregon gjithashtu se dëshironte të kalonte te Interi në vitin 2009, por Juventusi ndërhyri në kohë dhe arriti t’i paguante Fiorentinës klauzolën e tij.

Kalimi i tij te Reali u prish pasi shkaktoi faull të rëndë ndaj Arjen Robenit në çerekfinalen e Kupës së Botës 2010 Holandë-Brazil 2-1.

“Të gjithë duan të luajnë për Real Madridin. Kur Reali dhe Barça të thërrasin, je në gjendje të lësh gjithçka në mes. Do të më pëlqente të luaja për Realin, por luajta për Interin. Kur isha te Fiorentina, Interi më kontaktoi. Juventusi ndërhyri në kohë dhe pagoi klauzolën time dhe shkova në Torino. Falenderoj Juventusin që më dha mundësinë ta njihja si klubi. Për mua Juventusi është ndër 5 klubet më të mira në botë.

Me Realin kishim rënë dakord, marrëveshja ishte arritur, por ndodhi faulli ndaj Arjen Robenit në Kupën e Botës 2010 në çerekfinalen Holandë-Brazil 2-1. Pastaj shkova te Gallatasarai. Kam patur karrierë të jashtëzakonshme. U bëra lojtari më i mirë brazilian në futbollin turk duke fituar 8 trofe në 4 vite. Mund të kisha shkruar historinë me Real Madridin”, shprehet Felipe Melo.


Shtuar 11.06.2020 19:30