Profesionalizmi i të rinjve apo angazhimi politik i tyre
Fushata zgjedhore po përfshin çdo ditë e më shumë të rinjtë jo vetëm si të angazhuar por edhe si drejtues fushatash dhe pjesë e listave për të qenë deputetë. Sigurisht që për Shqipërinë si fenomen nuk është i panjohur por ajo që përbën risi është fakti që në këtë fushatë elektorale kemi të bëjmë me një gjithpërfshirje masive dhe të pakontrolluar të të rinjve. Ky fluks përgjithësisht është bërë në shpërfillje të plotë nga ana e partive, të profilit apo backroundit profesional të tyre, autoritetit, kontributit dhe ndikimit të rëndësishëm të tyre në shoqëri, aftësive prezantuese dhe komunikuese dinjitoze, kapaciteteve dhe potencës së tyre intelektuale, frymëzimit dhe përfaqësimit kompetent të interesave të grupmoshes ku bëjnë pjesë. Ata në dalje publike artikulojnë fuqishëm përpjekjen që të rinjtë në Shqipëri të kenë një mbeshtetje të lartë dhe kushte edhe më të mëdha, ku lehtësia e arritjes së suksesit të tyre të kthehet në një realitet të dukshëm dhe të prekshëm, por kjo gjë nuk arrihet vetëm me deklarata publike apo vetëm me fjalë. Angazhimi i të rinjve në fushatën elektorale përbën në parim diçka pozitive dhe të mirëpritur pavarësisht se konteksti historiko-politik nuk është i përshtatshmi. Kohët ndryshojnë dhe tanimë të rinjtë bashkë me cilësimin si e ardhmja paraprakisht do të duhet të jenë konkurues dhe profesionistë, ku të kenë vulosur dhe konkretizuar suksesin profesional pse jo të jenë kthyer së pari në “brand” për arritje të caktuara profesionale dhe shkencore. Këto arritje dhe rezultate do të ishin kyç në dallimin e tyre në shoqëri. Ky veçim bazuar mbi vlera dhe meritë mund të mirëpritej dhe përthithej si markë dhe sukses nga politika, model i cili mund dhe do të duhet të marketohej politikisht, të integrohej në programet politike dhe më pas të mbrohej, mbeshtetej dhe kultivohej gradualisht në procesin e zbatimit të programeve qeverisëse, për një qasje normale dhe të thjeshtëzuar dhe të natyrshme të të rinjvepolitike. Me keqardhje konstatoj të rinj që janë përfshirë dhe po mbështeten për tu promovuar si pjesë e partive pa asnjë kriter tjetër përzgjedhës përveç angazhimit dhe aderimit politik apo nepotik. Këta të rinj nuk plotësojnë minimalisht asnjë kriter profesional dhe relativisht edhe personal. Përpara se ti lançonin në politikë me katapultë në menyrë të panatyrshme, partitë do të duhet të kryenin një matje të ndikimit të figurës së këtyre të rinjve në opinionin publik apo edhe në shoqëri sidomos në daljet e para televizive, për të parë nëse partia humb apo fiton impakt nëpërmjet tyre. Kjo do të përbënte një një test prove që edhe vetë kandidati të maste pjekurinë e mjaftueshme profesionale, për t`ju përgjigjur me kompetencë, përgjegjësisë së lartë që i ngarkohet dhe mos te ecte thjesht me dëshirën dhe pasionin për tu bërë lider apo dikushi, duke formësuar kështu një realitet imagjinar në mendjen e tij, larg rrugës klasike të imenjimit të madh që nevojitet, për ti ngjitur hapat e karrierës në menyrë të natyrshme dhe graduale, duke marrë më pas me siguri në dorë fatin e qeverisjes së vendit. Fatkeqësisht daljet e fundit publike të të rinjve kandidatë të përfshirë në listat e partive edhe kryesore politike veçse më nxisin të krijoj një analogji për të dalë në konkluzionin se profesionistët e vërtetë e të ndershëm nuk do të kenë asnjehere ose do të kenë gjithmonë në këtë vend pak akses, hapësirë apo një vend në politike. Këto dalje thjesht më shtyjnë instiktivisht drejt krahasimit të ndikimit të vetingut për pastrimin e parlamentit nga kandidatë për precedentë në të kaluarën dhe zëvëndesimi me të rinj, të cilët me bagazhin e tyre intelektual dhe formimin e tyre professional, nuk janë ende gati dhe nuk kanë asesi përgjithësisht kapacitetin të përfaqësojnë shtresa të tjera të këtij vendi si intelektualet, artistët, shkrimtaret, profesionistët e profesioneve të rregulluara, pedagogët, mësuesit dhe çdo kënd tjetër që me të drejte ose jo mund të ndjehet i ofenduar apo edhe i neglizhuar nga politika. Këto shtresa apo kategori profesionistësh dalin në përfundimin se si ka mundësi që puna dhe kontributi i shumë viteve në një profesion të caktuar nuk i hyn në vemendje politikës por afron të rinj ende të papjekur si dhe ende pa kristalizuar në njohuritë e tyre, që në raste të caktuara nuk dinë ku janë vetë e jo me të jenë të ndërgjegjshëm dhe të aftë ti ofrojnë vendit më shumë, më mirë dhe në menyrë edhe më profesionale, politika të mira zhvilluese dhe prosperuese. Të rinjtë po fabrikohen, po përpunohen, po indoktrinohen dhe herë-herë po klonohen nga drejtuesit e partive duke u thyer kështu në një prerje seri, që artikulojnë dhe përdorin retorika të kopjuara dhe të njëjta me liderin e tyre duke u kthyer në atë shprehjen e famshme uniformizuese në media “bashkohem me mendimin e parafolësit”. Ata përgjithesisht do të duhet të jenë me kalkulues dhe të kujdesshëm në këtë përfshirje pasi po humbin jo vetëm individualitetin nga përfshirja në turma por edhe origjinalitetin si tregues shumë i rëndësishëm i dallimit të njerëzve, profesionistëve dhe joprofesionistëve nga njëri-tjetri. Dita-ditës po krijohet përceptimi se te rinjtë duken si të gjithënjëllojtë në përpjekjen për të dalë fitues, në një luftë që nuk është aspak e tyre por shpeshherë e titullarëve të tyre duke u trajtuar kështu si “paterica” të pushtetit dhe “të përdorur” të fushatave dhe mitingjeve elektorale. Është koha që të këtë kritere strikte dhe të qarta referuar kualifikimit, profesionalizmit por dhe moshës të kandidatëve të cilët do të përfshihen në pozicione drejtuese apo në lista kandidatësh për deputetë, pasi vetëm në këtë menyrë do të mund të frenohej dhe përmiresohej sadopak kjo situatë që po hasim këto ditë. Është momenti i duhur që përfaqësuesit politikë të përzgjidhen mbi bazë merite dhe arritjesh profesionale nga fushat nga vijnë dhe kjo spikatje të përbënte kriter kualifikues parësor për ta drejt inseritmit në politikë. Kjo gjë nuk duhet ti lihet, siç ndodh tani, vetëm elementëve të marketingut politik të partive ku nepermjet integritetit dhe profesionalizmit të kandidatit përfitojnë kapital politik dhe epërsi paraelektorale kundrejt kundërshtarit politik. Situata është e tillë ku nevoja e një institucioni këshillues dhe certifikues karriere sa vjen edhe po bëhet edhe me imediat. Ky institucion do të ishte një mekanizëm filtues dhe ndihmes për të rinjtë, që të mund të orientoheshin më lehtë në tregun e punës duke qenë të parapergatitur për të. Programet dhe aktiviteti i tij do të shërbente në këtë rast edhe si një opsion komplementar dhe certifikues real i kandidatëve që do të dëshironin të hynin në politike. Nga ana tjeter institucioni do ti ofronte dhe sugjeronte partive të interesuara, jo vetëm ajkën e të rinjve që plotësojnë në maksimum të gjithë komponentet profesionalë dhe personale për të qenë lider të suksesshëm, por edhe ata që njëkohësisht si pjesë e axhendës së institucionit, do të identifikoheshin si menaxherë, drejtues apo përfaqësues të ardhshem të spikatur institucionesh. Të rinjtë do ti nënshtroheshin testeve dhe trajnimeve të njëpasnjëshme për kategorizimin dhe këshillimin e tyre mbi përmirësimin e vazhdueshëm, ku në arritjen e kompletimit të nevojshëm, të ktheheshin në produkte të gatshme edhe për partitë politike, të cilat në këtë rast, do ta kishin me të lehtë të gjenin një kandidat të kompletuar, të dalë nga kjo “fabrikë formimi profesional dhe praktik”. Jam i bindur që në Shqipëri me standartizimin, strukturimin dhe formalizimin e çdo sektori, mund dhe duhet të përmirësohet edhe legjislacioni, kodi zgjedhor, kriteret e përzgjedhjes së të rinjve që hyjnë në politikë apo edhe rregulloret e brendshme etike dhe ligjore të partive, ndonëse në dukje kufizuese, mund ti shërbenin mjaftueshëm orientimit drejt plotësimit dhe ezaurimit të standarteve të duhura profesionale, nga ana e kandidatëve aspirantë për të qenë përfaqësues politike dhe drejtues të vendit. Derisa këto variante të trajtohen me seriozitetin e duhur do të duhet kohë. Uroj që këtë kohë që nevojitet, të rinjtë e përfshirë në politikë, ta shfrytëzojnë për të investuar tek vetja paralel me angazhimin politik, për të patur gjithmonë një as nën mëngë, në kriteret dhe aftësite e tyre edhe nëse braktisen apo dështojnë në betejat politike, nismëtarë dhe pjesëtare të të cilave janë.
Shtuar më 02/06/2017, ora 18:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori