Prodhuesit e bukës në Tiranë i bashkohen nismës për ndalimin e qeseve
Pëlqej
Furrat e bukës në Tiranë do të heqin nga përdorimi qeset plastike, duke i zëvendësuar ato me qese letre.

Bashkia e Tiranës nënshkroi sot një marrëveshje mirëkuptimi me Shoqatën e Prodhueseve të Bukës, Pastiçierisë dhe Brumërave, e cila ka 250 anëtarë, me anë të së cilës bien dakord për mospërdorimin e qeseve plastike, duke sjellë një reduktim të tyre me 1 milion në ditë.

Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se përmes kësaj marrëveshjeje hapet një kapitull i ri dhe një fitore e Tiranës për të pasur një qytet më të pastër.

“Është më shumë se një fitore e drejtpërdrejtë në betejën për të pasur një Tiranë më të pastër. Bashkimi i shoqatës me 250 furra buke dhe pastiçierie me nismën tonë redukton 1 milion qese në ditë në Tiranë.

Kjo bën krenar secilin në shtëpinë e vet sot, është diçka konkrete dhe të prekshme, pra që ne në Tiranë e ndjejmë nga mënyra sesi është qyteti sot, më i pastër. Me firmën e sotme, ne hapim një kapitull të ri.

Mezi pres që kjo të ndikojë edhe tek të tjerët që në të gjithë Tiranën ta shpallin qytetin më avangard në Ballkan. Nuk ka qytet realisht sot në Ballkan që ta ketë bërë këtë, fillimisht me supermarketet dhe me shitësit e bukur. Ju garantoj që do të na kopjojnë”, tha Veliaj, duke deklaruar se synimi është reduktimi total i përdorimit të qeseve plastike.

Kreu i Bashkisë deklaroi se kryeqyteti shqiptar prodhonte çdo muaj 100 ton qese, duke sjellë probleme edhe me përmbytjet. Veliaj tha se reduktimi i përdorimit të qeseve plastike, është një histori suksesi që bën krenar të gjithë.

“Tirana ka qenë një qytet që çdo muaj prodhonte 100 ton qese. Pjesa e mbetjeve dhe e mbeturinave, përfshi këtu dhe projektin e qeverisë për të kthyer në energji mbetjet, siç ndodh në Elbasan, duhet të fillojë që nga reduktimi. Fakti që kemi reduktuar ndjeshëm 100 ton çdo muaj, është një histori suksesi që do ju bëjë të gjithëve të ndiheni krenar”, tha ai.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur se të premten do të jetë rikthehet nisma “Dita pa makina”, e cila synon që të sensibilizojë qytetarët për përdorimin e mjeteve alternative me qëllim uljen e ndotjes në kryeqytet.

“Do të kemi edhe ditën pa makina, në datë 22, të premten, prapë një hapësirë pedonale, do të bëjmë një ekspozim të makinave elektrike dhe taksive elektrike, pra mjeteve alternative. Gjithmonë e më shumë, energjia do të bëhet më e lirë, kurse karburanti më i shtrenjtë”, tha Veliaj. Rrugët ku do ndalohet qarkullimi i automjeteve ditën e premte do jenë:

1- Nga rruga” Luigj Gurakuqi” do të zhvendoset në Blv. “Dëshmoret e Kombit” , përpara Pallatit të Koncerteve dhe Presidencës;

2- Rruga “ Kont Urani “, do të bllokohet hyrja nga rruga e “Durrësit” deri në kryqëzim me rrugën “Mihal Duri”;

3- Rruga “Brigada VIII” deri ne kryqëzim me rrugën “ Vaso Pasha”;

4- Rruga “ Pjetër Bogdani” nga kryqëzimi me rrugën “Vaso Pasha” deri në kryqëzim me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Për të ulur ndotjen dhe për të krijuar hapësira të reja për qytetarët, kreu i Bashkisë nënvizoi se disa zona do të kthehen në hapësira pedonale.

“Edhe këtë vit pavarësisht se i kemi kthyer disa hapësira në 100 % pedonale, duke filluar nga sheshi “Skënderbej”, te Pazari i Ri, prapë do të investohemi edhe këtë vit në disa hapësira të tjera pedonale. Një prej tyre do të jetë gjithë sheshi “Nënë Tereza”.

Siç e dini, me kohë të pjesshme ai është pedonal duke filluar nga Presidenca deri te korpusi universitar. Kështu që një hapësirë do të jetë aty, hapësira tjetër do të jetë pas Ministrisë së Arsimit. Pra duam të kemi hapësira pedonale edhe në disa lagje, është zona ku është klubi “Heminguej” dhe disa shtëpi karakteristike të Tiranës. E ka potencialin në të ardhmen të kthehet në një tjetër hapësirë si Pazari i Ri”, tha ai.

Një tjetër nismë e cila do të ndikojë në rritjen e pastërtisë së ajrit dhe uljen e ndotjes, do të jetë edhe Pylli Orbital. Kryebashkiaku deklaroi se gjatë muajve në vijim do të mbillen një numër i konsiderueshëm pemësh, të cilat do të përmirësojnë cilësinë e jetës në qytetin tonë. /albeu.com/
Shtuar më 20/09/2017, ora 14:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori