Procesverbali i seancës kur ministrat e Ramës akuzonin Berishën për pasaportat biometrike
Qeveria shqiptare vendosi sot që të vijojë kontratën me kompaninë koncensionare Sagem për prodhimin e kartave të identitetit. Por edhe pse ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u shpreh se ndihet krenar për këtë marrëveshje, socialistët kanë pasur një tjetër mendim katër vite më parë.

Portali Albeu sjell për lexuesit akuzat e deputetëve socialistë në seancën plenare të datës 22 korrik 2010, në të cilën e cilësojnë marrëveshje korrupsioni, ndërsa shpehen se çmimi i pasaportës dhe i kartës së identitetit është i papërballueshëm.




Akuzat e deputetëve të PS në seancë plenare:

Ilir Beqja: Një pasaportë biometrike kushton 6000 lekë. Një familje që jeton me ndihmë ekonomike merr gjithsej 3700 lekë në muaj dhe janë 96 mijë familje në Shqipërinë e sotme. Një i papunë që përfiton pagesë papunësie merr janë 6 mijë e 300 lekë në muaj dhe janë 10 mijë individë të tillë në Shqipërinë e sotme. Një person me aftësi të kufizuar përfiton 8 mijë e 700 lekë në muaj dhe janë 60 mijë të tillë në Shqipërinë e sotme. Më thoni, a mund ta blejnë këta njerëz pasaportën biometrike? Nëse keni ndonjë dyshim, po jua them unë. Jo, nuk mund ta blejnë. Sigurisht që mund ta blesh nëse në një vit bën sekserin e miqve të babit të Kryeministër dhe përfiton 200 mijë euro, dhe e blen jo vetëm për vete, por edhe për 4 mijë e 600 vetë të tjerë. Sigurisht që mund ta blesh edhe me para dietash që i merr kur shkon për vizitë te shtëpia jote dhe blen çdo ditë të muajit 1 pasaportë.Pasaporta duhet të ishte më e lirë dhe jo vetëm për të varfrit, duhet të ishte për këdo, por kushton shtrenjtë, sepse e shtrenjton korrupsioni. Edhe tenderi i pasaportave ishte dëshmi e qartë e korrupsionit qeveritar, korrupsioni që është shtruar këmbëkryq kudo ku duhet të kesh punë me shtetin, korrupsion që është kthyer në barrë dyshifrore për çmimin e çdo malli dhe shërbimi. Mjafton të përsërisim sot se koncesionari duhet të ndërtonte dhe një sistem të plotë dhe të sigurt telekomunikacioni. Prej disa vitesh për këtë sistem paguan Qeveria, nga taksat tona, siç vazhdojmë të paguajmë edhe ne në çmimin e pasaportës, dhe, zoti ministër, ju sqaruat që aty është çdo element.

Damian Gjiknuri: Megjithëse ata paguajnë një kontratë prej 250 milionë eurosh për këtë shërbim që normalisht duhet të ishte një shërbim shumë i mirë për çmimin që paguan, sepse qytetarët shqiptarë paguajnë një nga çmimet më të shtrenjta kur vjen puna për kartën e identitetit dhe pasaportën. Pikërisht ky është shqetësimi ynë, shqetësim nëse ky proces është në përputhje me gjithë kërkesat ligjore dhe kushtetuese dhe mbi të gjitha për interesin më të mirë që shqiptarët të përfitojnë një shërbim të mirë publik.Fatkeqësisht, po ta shikojmë në thellësi këtë proces duhet të vëmë re që kemi të mishëruar tri tipare karakteristike të kësaj Qeverie: paaftësinë, paligjshmërinë dhe korrupsionin.

Erjon Braçe: Që nga momenti që çdo shqiptar paguan 6000 lekë për një pasaportë apo 10 euro për një kartë identiteti, as më bie ndër mend kompania që e prodhon. Paguaj me paratë e mia, zotëri, për të marrë këtë shërbim dhe as dua t’ia di se si e ka emrin kompania, e ka Sagem, e ka Bektel, e ka Taçi, e ka Armo, e ka Calik, e ka OSSH, e ka ÇEZ, apo ndonjë tjetër, për sa kohë që i nxjerrin qytetarët shqiptarë paratë nga xhepi i tyre, as nuk kanë asnjë lloj kompleksi përkundrejt këtyre kompanive, pavarësisht se çfarë bëjnë, ku punojnë dhe ku ndërtojnë.
Kjo kompani që paguhet nga qytetarët shqiptarë vetëm për vitin 2009 për këto dy dokumente ka realizuar një xhiro prej 4,2 miliardë lekësh të rinj ose rreth 42 milionë dollarë që i kanë paguar qytetarët shqiptarë gjatë vitit që shkoi për të marrë këto dy palë dokumente./albeu.com/


Shtuar më 30/05/2014, ora 22:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori