Procesi ne GJND vonon njohjet
Albeu.com
Ministria e Punëve të Jashtme pret që procesi i ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) të jetë në favor të Kosovës, ndërsa e pranon se kjo çështje po vonon njohjet e reja të shtetësisë së vendit.Zv.ministrja e Jashtme, Vlora Çitaku, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se numri i njohjeve të Kosovës do të rritet edhe më pas dhënies së opinionit të GJND-së për pavarësinë e Kosovës.

“Të thuhet se procesi në GJND nuk ka pasur ndikim, do të ishte joserioze. Gjithsesi, edhe pas kalimit të rezolutës serbe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, njohjet kanë vazhduar. “Ne, gjatë kësaj periudhe, kemi pasur shumë njohje të fuqishme nga vende të ndryshme anekënd botës. Ka edhe shtete, të cilat duan t’i respektojnë procedurat në GJND dhe kanë rezervuar qëndrimin e tyre në raport me Kosovën, derisa të përmbyllet ky proces”, ka thënë Çitaku.

Kurse Ahmet Isufi i AAK-së beson se procesi në GJND, po i kushton Kosovës me vonesë të njohjeve të reja. “Bazuar në disa veprime që i ka bërë Serbia, qoftë në qarqet diplomatike, por po ashtu edhe në Gjykatën e Hagës, dhe elemente që shpeshherë i kanë përdorur, kanë ndikuar që Kosova të ecë me një ritëm më të ngadalshëm”, shprehet Isufi, duke kritikuar institucionet vendore për mosangazhim të të gjitha kapaciteteve relevante që do të mund të ndihmonin në këtë rast.

“Nuk kemi dyshim që GJND do të veprojë drejt. Por, e meta jonë është se nuk po i mbledhim kapacitetet e mjaftueshme për ta bindur botën në kuptimin e një vendimi të asaj se çka ka ndodhur në Kosovë”, ka shtuar ai.

Procesi i interpretimit të pavarësisë në GJND është iniciuar nga Serbia dhe miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. GJND tashmë ka përfunduar proceduarat e deponimit të deklaratave të palëve për çështjen.

GJND tashmë ka konfirmuar se do të mbajë dëgjime publike, për t’i dëgjuar mendimet e të gjitha palëve të interesuara rreth asaj se a ishte apo jo shpallja e pavarësisë së Kosovës në harmoni me të drejtën ndërkombëtare.

Çitaku pret që opinioni këshillëdhënës i GJND-së do të jepet në pranverën e hershme të vitit të ardhshëm. (express)
Shtuar më 15/08/2009, ora 18:14
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori