Probleme në Bovillë, Veliaj paralajmëron qytetarët: Përgatituni për 2-3 ditë të vështira pa ujë
Moti i keq me stuhi shiu që përfshiu këtë të martë Tiranën, përveç problemeve të çastit që shkaktoi në lëvizjen e njerëzve dhe të mjeteve në kryeqytet, ka sjellë një situatë të vështirë edhe në impiantin e filtrimit të ujit në Bovillë.

Si pasojë e shirave dhe prurjeve të shumta, uji në ujëmbledhësin e Bovillës është turbulluar, çka ka detyruar Bashkinë e Tiranës të marrë masa për kufizimin e furnizimit me uji të qytetarëve të Tiranës, deri në përmirësimin e situatës dhe vënien në funksion të plotë të këtij impianti. Situata në Bovillë u ndoq nga afër edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se deri në një normalizim të situatës në këtë impiant do të ketë kufizim të furnizimit me uji të banorëve të Tiranës.

“Në ditët në vijim do të ndihet një kufizim i ujit të pijshëm. Kjo bëhet vetëm për të garantuar jetën e qytetarëve dhe për të mos çuar këtë ujë në çezmat e tyre. Besoj se është më mirë që një lajm të keq ta themi në mënyrë të drejtpërdrejtë, siç është, se sa të bëjmë akrobacira që do të jenë të pafalshme, ndaj duke nisur nga nata e sotme do të ketë kufizim të ujit të pijshëm”, tha Veliaj. Por ai theksoi se për të gjitha institucionet që japin shërbime të pandërprera, Bashkia do t’u sigurojë ujin me anë të autoboteve

“Ju lutem përdoreni ujin me kursim, duke qenë se është i kufizuar! Nëse duhet që të furnizoheni me ujë gjatë mbrëmjes së sotme, ku do të ketë një furnizim nga ajo që tashmë është në depo nga paraditja, të sigurohen që mbushin enët e tyre dhe përgatiten për dy-¬tre ditë të vështira. Shpresoj që kjo krizë të përfundojë”, përfundoi Veliaj./Albeu.com/
Shtuar më 08/11/2016, ora 19:58

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori