Problematikat në tekstet shkollore, Nikolla i heq nga qarkullimi
Pëlqej
Duket se tekstet shkollore kanë një problematikë të madhe, e për këtë çështje ka reaguar edhe ministrja Lindita Nikolla. Teksa mësuesit ndanin të njëjtën qëndrim se tekstet duhen rishikuar, Nikolla nënvizoi se do të ketë një rishikim deri në heqje nga qarkullimi të këtyre librave.

Debatet mbi përmbajtjen e teksteve shkollore e kanë detyruar Ministrinë e Arsimit, të marrë masa për t’i hequr këto tekste nga duart e nxënësve.

Në rrjetet sociale po qarkullon një paragraf i librit të leximit të klasës së dytë fillore ku nxënësi për të rritur temperaturën dhe për të mos shkuar në shkollë, mësohet të tresë shkumës në ujë.

Në fund, tregimi mbyllet se “kush nuk e beson, le ta provojë”. Këto përmbajtje e detyruan Ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, të bëjë një reformë për tekstet shkollore.

“Padyshim që do të ketë rishikim, heqje nga qarkullimi, se për ne janë të shtrenjtë fëmijët e Shqipërisë dhe nuk do të lejojmë deformime të tilla në formimin e tyre”, ka thënë ajo.

Sipas mësuesve, përzgjedhja është bërë mbi baza preferenciale dhe jo të analizuara nga ekspertë.

Me një urdhër të ri, Ministrja e Arsimit i ka kërkuar të gjithë mësuesve që të bëjnë korigjimet dhe raporti të dërgohet në ministri. Menjëherë pas vlerësimeve, tekstet do të hiqen. /albeu.com/
Shtuar më 17/09/2014, ora 15:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori