“Edhe ti Brut?” Roland Bejko tregon si e përzunë nga PD: Më goditën fort në kërbisht, por nuk pata frikë fare

Demokrati Roland Bejko ka folur rreth përplasjeve që ai pati me mbështetësit e Berishës në oborrin e selisë së Partisë Demokratike.

Nxjerrja e tij nga oborri i selisë blu gjatë protestës së 8 janarit, bëri xhiron e të gjithë mediave.

Mbështetësi i flaktë i Bashës, i zbardhur në fytyrë, u shoqërua nga anëtarët e PD, jashtë oborrit të selisë, deri në rrugë. Ai ka treguar në emisionin “Opinion”, detaje nga kjo ngjarje që i ndodhi.

Bejko tha se është sharë, përshtyrë dhe goditur, por edhe pse i ka dhembur goditja, ai i siguron të gjithë shqiptarët që nuk kishte fare frikë, por para syve i dilte fytyra e Sali Berishës!

“Pashë fytyra të njohura, më përshëndetën, por filluan më pas ngacmimet. Mora të sharat e para dhe goditja e parë, jashtë kamerave. Nuk e pashë personin, ishte nje person me çadër dhe xhup blu.

Dikush më qëllon nga mbrapa me goditje të fortë në fund të kërbishtit, që më dhembi shumë.

Më pas pashë një person aë e kam takuar në Gjirokastër. Ka punuar në SHIK, sa herë Berisha vinte në Gjirokastër, ka qenë person që e shoqëronte Berishën. Kthehem dhe i them, edhe ti qëllon o Brut? Në atë moment më qëllon me çadër përballë në fytyrë.

Në këto kushte, i sharë, i pështyrë, i ofenduar dhe goditur, pashë një fytyrë të njohur. Një person që njihja dhe më ka ndihmuar.

Aty janë edhe disa persona të afërt të Berishës. Më thanë më vonë se ata jo vetëm më kanë sharë dhe goditur, por kanë thënë fjalët më banale.

Vetëm emocionin e frikës nuk provova. Shikoja vetëm Sali Berishën, nuk mbaja mend fytyrat e tyre.

Kam deklaruar se janë të falur, sa dola nga aty. Janë demokratë dhe janë të falur”, tha ndër të tjera Bejko.


Shtuar 11.01.2022 08:56