Prizren, arrestohen 11 persona ne dy operacione te ndara
Albeu.com
Policia e Kosovës në dy operacione të ndara në rajonin e Prizrenit ka arrestuar të enjten në orët e pasdites nëntë persona të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, në një konferencë të jashtëzakonshme në orët e pasdites, ka njoftuar se grupi i parë dyshohet për përfshirje në vepra penale të fajdeve.
“Në rastin e parë Njësia rajonale e Prizrenit nga Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit për shkak të dyshimit se është kryer një vepër penale e mashtrimit, detyrimit dhe përfitimit joproporcional në fajde, ka bërë arrestimin e pesë personave të dyshuar”, ka thënë Kelani.
F. Q., A. P., G. Z., I. Sh., të gjithë shtetas kosovarë, dhe F. B., nga Shqipëria, por edhe me nënshtetësi kosovare, dyshohen të kenë përfituar qindra mija euro nga fajdetë. Kelani ka njoftuar se gjatë këtij operacioni është konfiskuar edhe një veturë e dyshimtë.
Zëdhënësi i Policisë ka thënë se në operacionin e dytë të koduar me emrin “Vërshimi”, Departamenti kundër krimit të organizuar ka ndërmarrë një operacion të gjerë në rajonin e Prizrenit me ç’rast ka arritur t’i konfiskojë mbi dy kilogramë të substancave narkotike të llojit heroinë dhe ka ndaluar 11 persona, pesë prej të cilëve janë dërguar në arrest. Të arrestuarit janë B. G. (1972), J. S. (1958), A. J. (1980), E. A. (1965) dhe një i mitur (1994).
“Veprat e kryera nga ta janë posedim, trafikim dhe shpërndarje të substancave narkotike. Që të gjithë shtetas të Republikës së Kosovës. Me urdhër të prokurorit publik, meqë operacioni është ende në progres e sipër, janë duke u zhvilluar bastisjet e pesë shtëpive të cilat kryesisht janë në rajonin e Prizrenit”, ka thënë ai.
Gjatë këtij operacioni janë konfiskuar rreth tre mijë euro dhe kartela bankare të llogarive të ndryshme.
Zëdhënësi i Policisë ka njoftuar se në këtë lokacion janë gjetur edhe disa armë të ndryshme dhe janë në kërkim edhe disa persona të tjerë, të cilët dyshohet të jenë përfshirë në këtë rast. “Policia e Kosovës ka pasur planet e përgatitura dhe ka qenë në hetim e sipër”, ka thënë ai.
Policia nuk e përjashton mundësinë që të arrestuarit mund t’i takojnë ndonjë rrjeti të shtrirë edhe përtej kufijve të Kosovës, meqë njëri nga të arrestuarit është nga Shqipëria.
“Është herët për një informacion zyrtar, sepse presim përfundimin e rastit për të mësuar se a ka shtrirje të këtij rrjeti edhe jashtë Kosovës”, ka thënë Kelani.
Shtuar më 12/02/2010, ora 16:06
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori