Prishtina nuk luhatet ne vendimin e saj
Pëlqej
Albeu.com
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha të mërkurën në Prishtinë se pala kosovare nuk ka lëshuar pe dhe qëndron prapa vendimit kundër propozimit 6 pikësh të Ban Ki Moon, për shtrirjen e misionit ndërkombëtar për siguri dhe sundim të ligjit (EULEX).Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, i bëri këto deklarata një ditë pas thirrjeve që Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bënë Prishtinës zyrtare për të pranuar propozimin e OKB-së, të negociuar dhe të pranuar paraprakisht nga Beogradi.
Kreu i ekzekutivit kosovar, megjithatë tha se pala kosovare është e gatshme për dialog me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth kësaj çështjeje.

Thaçi tha se Kosova është shtet i pavarur e demokratik dhe tashmë ka Kushtetutën e saj, në kuadër të së cilës janë përfshirë parimet e Propozimit Gjithëpërfshirës të të Dërguarit të OKB-së në negociatat për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari.

"Qëndrimi i institucioneve të Kosovës vazhdon të mbetet tanimë një qëndrim i gjithë spektrit politik kosovar dhe i vullnetit të popullit të Kosovës që elemente substanciale të dokumentit gjashtë pikësh janë të papranueshme”, tha Thaçi.

Kreu i ekzekutivit kosovar tha se në këtë proces për Prishtinën nuk do të ketë imponime, por duhet të respektohet Kushtetuta e Kosovës, ndërsa sipas tij, Beogradi mund të prezantojë çfarë të dojë, por ëndrrat e Serbisë për Kosovën kanë përfunduar më 17 shkurt të këtij viti.“Ne jemi për marrëveshje, jemi për dialog, por duhet të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Prishtina ka refuzuar të hënën propozimin, me arsyetimin se ai është në kundërshtim me Planin Ahtisaari dhe me rendin ligjor e kushtetues të Kosovës. Pavarësisht kundërshtimit nga ana e Prishtinës, bashkësia ndërkombëtare i është drejtuar Prishtinës, nga e cila pret të lëshojë pe dhe të pranojë kushtet e shtrirjes së misionit ndërkombëtar për siguri sundim të ligjit (EULEX) në tërë territorin e Kosovës.

Seanca e shtyrë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për gjendjen në tre muajt e fundit në Kosovë, për rikonfigurimin e UNMIK-ut si dhe shtrirjen e EULEX-it në Kosovë, ende nuk dihet kur do të zhvillohet.

Deri atëherë, presioni ndërkombëtar ndaj autoriteteve të Prishtinës, pritet të marrë përmasa më të mëdha. Deri tani dihet që pothuajse shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë mbështetur propozimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, të negociuar edhe me Serbinë rreth EULEX-it. Mbrëmë këtë plan e mbështeti edhe SHBA-ja, nëpërmjet ambasadores në Prishtinë, Tina Kaidanow.

Bashkimi Evropian ka shfaqur shpresën e tij se deri në fund të javës do të arrihet një marrëveshje me Prishtinën për planin gjashtëpikësh të OKB-së për praninë ndërkombëtare në Kosovë.

Christina Gallack, zëdhënëse e shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, i tha BBC-së se BE-ja shpreson në shtrirjen e EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës deri në dhjetor të këtij viti.

Sipas saj, ky mision do të punojë në kuadër të Rezolutës 1244, që vazhdon të ofrojë një rol për OKB-në. Gallack tha se kjo nuk do të kufizojë mundësitë e EULEX-it që të punojë me institucionet e Kosovës mbi bazën e ligjeve të aplikueshme në Kosovë.

Ajo tha se EULEX-i do të mbajë përgjegjësi të kufizuara ekzekutive dhe në të njëjtën kohë, do të respektojë kornizën institucionale dhe ligjore të Kosovës. Autoritetet kosovare e kanë kundërshtuar marrëveshjen e OKB-së me Serbinë mbi bazën e një plani gjashtëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, për të ardhmen e misioneve ndërkombëtare në Kosovë.

Por, ata thanë se do të vazhdojnë bisedimet me autoritetet ndërkombëtare për shtrirjen e misionit evropian për drejtësi dhe polici në tërë territorin e Kosovës, por pa kushte.
Plani gjashtëpikësh u kundërshtua për shkak se, siç thuhet, përmban elemente të ndarjes në vija administrative të Kosovës, në veçanti në fushën e drejtësisë, policisë dhe doganave.

Beogradi zyrtar bëri me dije se ka arritur marrëveshje me OKB-në për planin i cili, nëse miratohet, do të mundësojë shtrirjen e EULEX-it në tërë territorin e Kosovës.

Veton Rugova, start
Shtuar më 12/11/2008, ora 22:19
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori