Prishtina mohon perseri akuzat per trafikim organesh
Albeu.com
Autoritetet në Kosovë thanë se janë të gatshme të bashkëpunojnë me këdo që është i interesuar të kryejë hetime të paanshme për zhvillimet gjatë luftës në Kosovë, ndërsa hodhën poshtë edhe njëherë pretendimet se ...... pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare ishin përfshirë në trafik organesh të personave të zhdukur gjatë luftës.
Komentet e tyre u bënë në fillim të vizitës në rajon të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty i cili do të hetojë akuzat e ngritura nga Beogradi, sipas të cilit kryengritësit shqiptarë kanë rrëmbyer pjesëtarë të komunitetit serb gjatë luftës dhe më pastaj kanë trafikuar organet e tyre.

Senatori zviceran, Dick Marty ndodhet në Beograd, ndërsa të mërkurën pritet të shkojë në Shqipëri për të hetuar pohimet sipas të cilave veprimet e tilla janë kryer në një shtëpi në Burrel. I dërguari i Këshillit të Evropës Dick Marty pritet të lëshojë një raport në fund të vizitës së tij faktmbledhëse

Pohimet e tilla për herë të parë u ngritën nga ish kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte në librin e saj “Gjuetia”, të botuar në vitin 2008. Pas kësaj një numër organizatash ndërkombëtare kërkuan hetime rreth kësaj çështjeje, ndërsa Këshilli i Evropës caktoi zotin Dick Marty të merret me këtë çështje.

Autoritetet serbë i kanë thënë senatorit Marty se kanë prova për të paktën dhjetë raste të tilla, ndërsa dyshojnë për një numër më të madh të tyre.

Në Prishtinë ndërkaq mohohen akuzat e tilla. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi thotë se këto janë përpjekje për të dëmtuar luftën e ish-Ushtrisë Çlirimtare, të imazhit të shtetit të ri, por edhe siç thotë ai, përpjekje për të vendosur një baraspeshë nga ana e Beogradit i cili është përgjegjës për shumë mizori të kryera në Kosovë.

“Ajo që dua të them është se populli i Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka bërë luftë të drejtë. Ne kemi bashkëpunuar shumë ngushtë në çdo rast edhe me Tribunalin e Hagës edhe me drejtësinë vendore e ndërkombëtare dhe është vërtetuar shpeshherë se spekulimet e tilla, kanë dalë vetëm spekulime. Unë jam i bindur se edhe në këtë rast do të jetë e njëjta gjë. Qeveria e Kosovës, populli i Kosovës kanë qenë gjithmonë bashkëpunues me mekanizmat ndërkombëtarë, por gjithmonë të kujdesshëm që spekulimet e tilla të mos e dëmtojnë imazhin e Kosovës dhe që spekulimet e tilla të përfundojnë si spekulime”, tha ai.

Kuçi thotë se Kosova është e gatshme të mbështesë çdo hetim për çfarëdo akuze dhe deri tash ka dhënë dëshmi të gatishmërisë së saj për bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare, përfshirë dorëzimin vullnetar në Gjykatën e Hagës të personaliteteve politike që kanë bashkëpunuar me drejtësinë dhe janë shpallur të pafajshëm.

“Edhe rasti i tillë nuk është mungesë e vullnetit tonë për të bashkëpunuar. Por është mbi të gjitha paragjykimi për spekulime të tilla dhe nuk kishim dashur që pjesa e spekulimeve të tilla të jetë pjesë që e lëvizë procesin në një shtet modern dhe demokratik dhe çfarëdo që të jetë rezultati dhe unë jam i bindur që do të del se është spekulim, dikush po ia arrin qëllimit që të krijojë dilema për një luftë të drejtë. Këtu është shqetësimi ynë, pra të mos krijohen dilema. Lufta jonë ka qenë e drejtë, ka qenë në përputhje të plotë me normat ndërkombëtare, ndërsa tendencat e sotme janë spekulime që do të përfundojnë si të tilla”, tha Kuçi.

Në fillim të muajit qershor, policia e Kosovës kishte arrestuar tre pjesëtarë të komunitetit serb nën dyshimin u kanë ofruar sasi të mëdha parash njerëzve, të cilët siç thuhet, “do të dëshmonin rrejshëm se kanë qenë viktima të trafikimit me organe të serbëve gjatë luftës në Kosovë”.

Sipas policisë tre të arrestuarit, që po mbahen në paraburgim, kanë vepruar bashkë duke ofruar deri 100 mijë euro për njeriun, i cili do të ishte i gatshëm të japë deklarata të rreme, duke premtuar edhe të mira të tjera materiale si banesa, automjete dhe vende pune”. Po ashtu sipas policisë të dyshuarit kanë ofruar shpërblime deri në 10 mijë euro, për ndërmjetësuesit që do të siguronin “dëshmitarë” të tillë. (voa)
Shtuar më 05/08/2009, ora 23:27
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori