Prishtina: Faleminderit Shkup, Faleminderit Podgoricë!
Albeu.com
Prishtina zyrtare ndihet mjaft komode pas vendimit të Podgoricës dhe Shkupit për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Gjatë një interviste për BBC-në, zv.kryeministri kosovar, Ramë Manaj, falënderoi dy vendet fqinje për vendimin që morën një ditë më parë.“Vendimi i Malit të Zi dhe Maqedonisë, është dhurata më e mirë pas vendimit nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me kërkesë të Serbisë. Këto vendime, janë një sinjal mjaft i qartë se njohjet e pavarësisë do të vazhdojnë pavarësisht rezolutës serbe në OKB”, ka thënë Manaj.

Sipas tij, vendimet janë më shumë se njohje dhe ato tregojnë se përpjekjet e Beogradit zyrtar kundër pavarësisë, definitivisht dhe përfundimisht janë të paefektshme. Zëvendëskryeministri Manaj tha se njohja nga Podgorica dhe Shkupi do të ndikojë në vazhdimësinë e marrëdhënieve të mira të Kosovës me shtetet fqinje. Ai shprehu keqardhje për mënyrën se si ka reaguar Beogradi ndaj aktit të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi.
"Në emër të qeverisë së Kosovës shpreh keqardhjen për veprimet reminishente të udhëheqjes serbe duke shpallur non grata ambasadorin e Malit të Zi në Beograd, veprime këto që përkujtojnë epokën e vjetër të parahistorisë, kur koha llogaritej së prapthi", theksoi zëvendëskryeministri Ramë Manaj.
Sipas tij, reagimi i Beogradit për dëbimin e ambasadorit malazias nga Serbia ka qenë i pritshëm. (start-albeu)
Shtuar më 10/10/2008, ora 20:15
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori