Prishtina e zemëruar për votimin e rezolutës serbe
Albeu.com
Kreu shtetërorë i Kosovës ka shprehur keqardhje për kalimin e rezolutës së Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB për të kërkuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.Një një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi deklaruan se pavarësia e Kosovës është çështje e zgjidhur dhe e pakthyeshme.
"Çfarëdo që gjykata të thotë në fund në lidhje me pyetjen e cila i është parashtruar, ne do të ndjekim rrugën e zhvillimit dhe përparimit në Kosovën e pavarur, së bashku me partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë. Kemi filluar procesin e anëtarësimit në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, dhe do të punojmë aktivisht për njohje të mëtejme bilaterale nëpërmjet aktivitetit diplomatik dhe aktivitetit ndërkombëtar të sektorëve të ndryshëm të shoqërisë së Kosovës", deklaroi presidenti Fatmir Sejdiu.
Kryeministri Hashim Thaçi tha se vet realiteti i ardhshëm i njohjeve për pavarësinë do të jetë përgjigje për idenë e keqe të Beogradit. "Njohjet do të vazhdojnë madje dhe Beogradi do të befasohet dhe do të nervozohet. Beogradi i ka vënë vetës një barrë të madhe që nuk do të mund ta qojë në rrugën për integrim në strukturat e BE-së dhe NATO. Dhe mendoj se sa ka qenë për Kosovën një ide e keqe, do ti kthehet bumerang edhe Beogradit", theksoi kryeministri Thaçi.
Liderët kosovar shprehen besim se me kalimin e kohës do të ketë njohje të tjera, dhe se ky referim në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk do t'i pengojë vendet të vlerësojnë përparimin e vazhdueshëm në Kosovë dhe të vendosin për njohje. Sejdiu dhe Thaçi deklaruan gjithashtu se synojnë të marrim pjesë aktivisht në prezantimin e rastit të Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe se presin që shqyrtimet e saj të jenë të drejta dhe të paanshme, ku ata besojnë se do të rikonfirmohet pozicioni i Kosovës. (ALSAT)
Shtuar më 09/10/2008, ora 03:38
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori