Princi Leka II, këshilltar i ministrit Basha
Albeu.com
nga Rezarta DELISULAPrinci Leka II punësohet këshilltar për Politikën e Jashtme, në ministrinë e drejtuar nga Lulzim Basha. Ai do të prezantohet me stafin javën e ardhshme, ndërsa do të ruajë titullin e Princit.Ka qenë një dëshirë e Mbretit Leka I, të cilën sipas burimeve tona ia ka shprehur liderit të së djathtës, Sali Berishës dhe ky i fundit e ka mbajtur premtimin. Në fakt, interesi është i dyfishtë, përfshi dhe Ministrinë e Jashtme, por ajo çka ka qenë e rëndësishme për Mbretin Leka I është dhënia e kontributit të familjes së tij për Shqipërinë.

Një eksperiencë të tillë të mëparshme ka pasur dhe vetë Mbreti Leka Zogu. Në kohën kur jetonin në Afrikën e Jugut, Ahmet Zogu i ka kërkuar drejtuesit të shtetit në Arabinë Saudite të punësonte djalin e tij të vetëm, me qëllim që të njihte administratën. Dhe vetëm pak kohë më pas, Leka I u emërua këshilltar i Qeverisë së Arabisë Saudite. E duke qenë i kënaqur me këtë eksperiencë, duket se një ndër qëllimet e Lekës së Parë të ketë qenë njohja e Princit me strukturat shtetërore. Mësojmë se pas pak ditësh do të ketë dhe një konferencë të përbashkët mes Ministrisë së Jashtme dhe Oborrit Mbretëror për punësimin e Lekës së Dytë, ndërsa dje, Princi ka qenë kokë më kokë me ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha për të diskutuar rreth punës.

Trashëgimia

Në bazë Statutit të vitit 1928, të Mbretërisë Shqiptare, Princi Trashëgimtar i fronit mbretëror është djali më i madh i Familjes Mbretërore. Kështu që Ai shpallet trashëgimtar i Fronit Mbretëror mbasi të ketë mbushur moshën 18-vjeçare, nga NMT Mbreti. NTM Leka II, Princ i Shqiptarëve, u shpall Trashëgimtar i fronit në vitin 2000, mbas një betimi që Ai bëri përpara NMT Leka I, Mbret i Shqiptarëve, në Johanesburg. Nga ajo ditë, Ai zgjodhi të ishte NTM Leka II, Princ i Shqiptarëve. Ai u pagëzua me emrin Leka nga Mbretëresha Susan. Emri Anwar, NTM Leka II e mori për nder të Presidentit Anwar Sadat i Egjiptit, duke qenë se Presidenti Sadat ishte një mik i mirë i NMT Leka I, Mbret i Shqiptarëve. Emrin Reza, për nder të miqësisë që NMT Leka I kishte me Shahun e Iranit. Emrin Baudoin, NTM Leka II, e mori nga kumbara e Tij, Mbreti Baudoin i Belgjikës, ndërsa emrin Msiziwe është një titull honorifik (në gjuhën zulu do të thotë: Njeri i Popullit të Tij), e mori më vonë nga Mbreti i fisit Zulu.

Shkollimi

Edhe pse jeton në Shqipëri prej pak vitesh, Leka II flet nje shqipe të pastër. Bagazhi i tij arsimor është në nivele të larta. Princi sapo është kthyer nga një kurs masteri 6- mujor të cilin e kreu në Itali. Në vitet e para të jetës mësimet i mori nga një mësues privat, para se të vijonte shkollimin në Johanesburg, në Afrikën e Jugut. Nga viti 1989-1991 nisi studimet në “St Stithian’s Collage”, ndërsa më vonë në “St Peter’s Preparatory School”, deri në vitin 1996. Nga 1996-2000 ai studioi në “ST Peter Collage”. Pas ardhjes në Shqipëri sigurisht që mori mësime private për letërsinë shqipe, dhe në vitin 2004 kreu një kurs tremujor në akademinë ushtarake “Skënderbeu” në Tiranë. Në vitin 2004 deri në vitin 2005 vijoi studimet në akademinë me famë botërore, “Royal Military Academy of Sandhurst” në Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë këtyre studimeve mori edhe disa çmime, si p.sh: “The King Hussein Price” dhe toga e NTM Leka II, Princ i Shqiptarëve është shpallur si “The Sovereign’s Platoon”.
Shtuar më 21/08/2007, ora 16:04
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori