Primakov kerkon ndarje, analistet e perjashtojne kete mundesi
Albeu.com
Ish-kryeministri rus, Yevgeny Primakov, ka deklaruar se serbët nga pjesët jugore e Kosovës duhet të shpërngulen drejt pjesës veriore të saj, dhe më pastaj të bashkohen me Serbinë.Mirëpo, përkundër vështirësive që do të shfaqen për ta zgjidhur çështjen e rajoneve me shumicë serbe, analisti Gabriel Partos nuk pret që në një të ardhme të afërt të ketë ndonjë ndarje de fakto të pjesës veriore të Kosovës.
“Jam i vetëdijshëm se disa njerëz mund të më kritikojnë pse them se serbët duhet të shpërngulen nga pjesa qendrore e Kosovës, mirëpo kjo është rrugëdalja e vetme nga kjo situatë”, ka vlerësuar ish kryeministri rus - tash kryetar i Dhomës së Tregtisë së Rusisë, Yevgeny Primakov, në një intervistë për gazetën “Veçernje Novosti”.

Primakov ka vlerësuar po ashtu se shqiptarët janë të fortë dhe se mbështeten tek prania e NATO-s në Kosovë.
"Megjithatë, mendoj se edhe ata do të detyrohen të kërkojnë një modus vivendi. Nëse atje çdoherë do të ketë përleshje, forcat e NATO-s nuk do të qëndrojnë përgjithmonë, prandaj edhe ata do të detyrohen të kërkojnë daljen nga kjo situatë”, ka thënë ish-kryeministri rus, tash kryetar i Dhomës së Tregtisë së Rusisë, Primakov.

Ndërkaq, analisti Gabriel Partos ka vlerësuar se trazirat në Mitrovicë provuan vështirësitë që do të kenë autoritetet në Kosovë për ta zgjidhur çështjen e rajoneve me shumicë serbe, por ai thotë se nuk pret që në një të ardhme të afërt të ketë ndonjë ndarje de fakto të pjesës veriore të Kosovës. Në një intervistë për BBC analisti Partos ka thënë se ndarja e Kosovës ka filluar qysh në vitin 1999, respektivisht kur serbët përzunë shqiptarët nga pjesa veriore e Mitrovicës. Ky proces, sipas tij, ka vazhduar, është konsoliduar, dhe atij i është dhënë një lloj nxitje shtesë nga shpallja e pavarësisë, që serbët e përdorën si justifikim për përforcimin e kontrollit të tyre mbi institucionet në Mitrovicën e veriut, dhe në pjesën veriore të vetë Kosovës.
Shtuar më 26/03/2008, ora 23:17
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori