Presidenti Topi pret kreret me te larte me rastin e Festave te Nentorit
Pëlqej
Albeu.com
Presidenti Bamir Topi priti në një takim mbrëmë në Pallatin e Brigadave krerët më të lartë të shtetit me rastin e 96-vjetorit të Pavarësisë.Të ftuar në ceremoninë e organizuar nga Presidenti i Republikës ishin: Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, Kreministri, Sali Berisha, deputetë të Kuvendit, krerët e komuniteteve fetare, ambasadorë dhe përfaqësueses të tjerë të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, Përfaqësues të medias, etj.

Në fjalën e tij Topi vlerësoi edhe një herë kontributin e vyer të rilindasve tanë për të ruajtur identitetin dhe gjuhën shqipe. Ai e vlerësoi shpalljen e Pavarësisë si aktin më të madh të patritëve tanë nga të katër anët e trevave të banuara nga shqiptarët.

Më pas Presidenti i Republikës, deklaroi edhe një herë mbështetjen për shtetin e ri të Kosovës, duke deklaruar: “Kohët kanë ndryshuar shumë dhe Kosova nuk është vetëm. Ne jemi të palëkundur në mbështjen për pavarësinë e sovranitetin e saj dhe jemi të vendosur në përpjekjet tona për njohjen ndërkombëtare të saj. Kosova ka aleatë të rëndësishëm, të cilët ashtu siç e përkrahën pavarësinë e saj dhe e njohën atë, ashtu edhe nuk do të lejojnë që sovraniteti i saj të cënohet”.

Në vijim të fjalimit, Topi përmendi edhe sfidat me të cilat përballet shteti shqiptar, si zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në NATO. Ai deklaroi: “ Shqipëria ndodhet përballë sfidave shumë të rëndësishme: Zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe anëtarësimi i plotë në NATO. Suksesi i tyre lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e vendit tonë dhe me interesat e tij kombëtare afatgjatë”.


Në fund të fjalimit, duke falenderuar të pranishmit, Topi shprehu dhe një herë besimin e tij në suksesin e ndryshimeve pozitive në Shqipëri, dhe konfirmoi mbështetjen e palëkundur për reformat demokratizuese dhe pluralizmit politik në vend.
Shtuar më 29/11/2008, ora 21:31
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori