Presidenti Topi nderon deshmorin Llagami
Albeu.com
nga Anila LIMANIJanë përkujtuar të hënën të gjithë ata bijë e bija që dhanë jetën gjatë luftës së 2001. 5 Maji - Dita e dëshmorëve është përkujtuar në të gjitha vendet ku dhanë jetën ata që luftuan nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).Nën organizimin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës, homazhe dhe vizita tek familjarët e të rënëve ka pasur nga Struga deri në Vaksincë. “Kemi filluar nga Struga me nderimin e dëshmorit Nuri Mazari -Komandant Struga, pastaj vazhduam në Kërçovë, në Gostivar dhe pastaj në Tetovë ku u ndamë në drejtim të Shipkovicës dhe në drejtim të Jazhincës. Në nivele brigadash janë bërë nderime edhe në pjesët e tjera ku ka memoriale të dëshmorëve, nga Vaksinca, Sllupçani, Hotla, Mateçi, Nigushtaku e Haraçina, si dhe Malësia e Shkupit ( Malinë, Brezë e Tanushë)”, tha kryetari i SHVL - së, Fazli Veliu. Ai sqaroi se në të njëjtën kohë janë nderuar dhe dëshmorët që ranë në këto anë dhe varret i kanë në Kosovë dhe Shqipëri. Po ashtu, të hënën, me ftesë të Shoqatës së Veteranëve të Luftës, është nderuar nga presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, dëshmori Skerdilaj Llagami. Vizitat tek familjet e dëshmorëve kanë vazhduar deri në orët e vona të pasdites, ndërsa në Mbrëmjen e së hënës do të mbahet akademia kushtuar dëshmorëve të kombit, ku do të shfaqet dhe projekt filmi për dëshmorët e rënë. Në Akademinë kushtuar dëshmorëve pritet të marrin pjesë personalitete të UÇK-së, ish komandanti i përgjithshëm, Ali Ahmeti si dhe personalitete nga UÇK -ja e Kosovës dhe personalitete nga Shqipëria. (LAJM)
Shtuar më 06/05/2008, ora 20:59
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori