Presidenti Topi dekoroi ish-ambasadorin William Walker
Pëlqej
Albeu.com
Në një ceremoni zyrtare të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, në Tiranë, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi dekoroi ish-ambasadorin William Graham Walker me “Medaljen e Mirënjohjes”.
Ky vlerësim dhe nderim i lartë i kryetarit të Shtetit i bëhet Walkerit për kontributin tepër të rëndësishëm në ndihmë të shqiptarëve të Kosovës, në momentet e vështira dhe vendimtare të historisë së tyre, gjatë krizës humanitare të vitit 1999, duke mbështetur fuqimisht të drejtën që ata kërkonin, për të jetuar të lirë dhe të pavarur, thuhet në motivacionin e dekoratës dhuruar Walkerit.

Walker ndërkaq, me këtë rast tha se është vërtet i befasuar dhe gjithashtu shumë i nderuar duke marrë këtë lloj dekorate nga duart e presidentit të Republikës së Shqipërisë. “Siç u përmend dhe në motivacion, unë kam qenë më i njohur në çështjen kosovare, por unë e di shumë mirë se çfarë kuptimi kanë pasur ngjarjet e ‘99-ës për shqiptarët kudo që ata kanë qenë. Meqë këtu është qendra, është zemra i kombit shqiptar jam me të vërtetë i nderuar duke u nderuar në këtë mënyrë”, tha Walker.

Walker po ashtu shprehu admirimin për ndryshimet e mëdha e pozitive të vendit dhe rajonit tonë gjatë dekadës së fundit duke vlerësuar rolin e rëndësishëm dhe moderator të faktorit shqiptar në Ballkan në shërbim të paqes, qëndrueshmërisë dhe zhvillimit afatgjatë. (Telegrafi)
Shtuar më 24/11/2008, ora 20:23
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori