Presidenti Sejdiu uron shqiptaret per Diten e Flamurit
Pëlqej
Albeu.com
Në mesazhin e urimit, presidenti Sejdiu, duke iu drejtuar veçanërisht qytetarëve kosovarë, tha se këtë vit, festa kremtohen ndryshe, pasi Kosova tashmë është shtet i pavarur.Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu ka uruar shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit - Ditës së Flamurit. Në mesazhin e urimit, presidenti Sejdiu, duke iu drejtuar veçanërisht qytetarëve kosovarë, tha se këtë vit, festa kremtohen ndryshe, pasi Kosova tashmë është shtet i pavarur.

Më poshtë po japim mesazhin e plotë të presidentit Sejdiu

Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës,
Ju shpreh urimet e mia të përzemërta për Ditën e Flamurit, 28 Nëntorin. Kjo datë e bujshme e historisë moderne shqiptare përputhet edhe me kthimin e heroit tonë nacional, Gjergj Kastrtiotit-Skënderbeut në Krujë, më 1443, ndaj kudo që ka shqiptarë nderohet e përjetohet si njëra ndër datat më të veçanta të gjithë historisë sonë.

Festa e Flamurit, veçmas këtu në Kosovë, sivjet kremtohet me më shumë krenari e gëzim. Këtë datë të rëndësishme të historisë sonë po e shënojmë në Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës, të njohur tashmë nga 52 vende anekënd globit.

Institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim të plotë me miqtë tanë të shumtë, e në rend të parë me ShBA-të dhe me BE-në, do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim të plotë që ta forcojnë lirinë, demokracinë dhe ekonominë e vendit tonë, në mënyrë që shteti ynë i ri, i krijuar mbi sakrificat e shumë brezave të dëshmojë se është anëtar i denjë i kombeve të lira.

Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë do të punojnë së bashku me vendet e rajonit në forcimin e paqes dhe të stabilitetit në këtë pjesë të Evropës Juglindore, si dhe për shpejtimin e ecjes së fuqishme në procesin e integrimit në BE dhe në NATO.

28 Nëntori i flamurit tonë kombëtar do të jetë përherë një pikë e shndritshme frymëzimi dhe orientimi për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

Gëzuar dhe me fat Dita e Flamurit!

(Veton Rugova, start)
Shtuar më 27/11/2008, ora 21:05
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori