Presidenti Sejdiu uron presidentin e zgjedhur Obama
Pëlqej
Albeu.com
Presidenti Fatmir Sejdiu e ka uruar senatorin Barak Obama për fitoren historike në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Duke folur ne aeroportin e Prishtinës, pas kthimit nga Tirana, Sejdiu tha se zgjedhja e tij ishte model i veçantë për demokracinë amerikane.
Presidenti i falënderoi edhe një herë SHBA-të për ndihmën dhënë Kosovës, ndërsa tha se nuk do të ketë ndryshim të kursit të politikës amerikane karshi shtetit tonë.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i është bashkuar liderëve nga mbarë bota në urimet për senatorin Barak Obama i cili i fitoi zgjedhjet presidenciale në Amerikë. Sejdiu e quajti model të demokracisë mënyrën se si amerikanët zgjodhën të preferuarin e tyre për të udhëhequr shtetin.” Ne cmojmë jashtzakonisht shumë rolin që SHBA-të kanë pasur, kanë dhe do të kenë për Kosovën . Për ne është me rëndësi që të gjitha administratat e gjertanishme dhe këto në vazhdim , kanë pasë përkushtim të thellë që Kosovën ta ndihmojnë në radhë të parë lirinë njerëzore dhe lirinë e popullit të saj dhe natyrisht në proceset tjera që i kemi përpara ”, tha ai.
Sejdiu, shprehu mirënjohje të thellë edhe për senatorin republikan John MekKejn por edhe për kontributin e jashtëzakonshëm të administratës së presidentit Bush dhënë Kosovës. Ai u shpreh i bindur se kursi i politikës amerikane karshi Kosovës do të mbetet i pandryshuar, pavarësisht faktit se demokratët po kthehen në Shtëpinë e Bardhë pas tetë vitesh . “Demokratët kanë qenë po ashtu në proces të mbështetjes për Kosovën. Por dua të them se SHBA-të kanë qenë dhe janë në mbështetje të Kosovës. Pra ka qenë një kurs konstant në mbështetje të Kosovës. Juve u kujtohen vërejtjet e Kërshendellave të 92-shit të presidentit Bush plakut. Ju kujtohet edhe intervenimi i thellë i SHBA-ve bashkë me aleatët e NATO-së në vitin 99-të dhe tash së fundi kjo që bëri presidenti Bush “, tha Sejdiu.
Të gjitha këto fakte, sipas Sejdiut, tregojnë se nuk do të ketë ndryshim të politikës amerikane karshi Kosovës.
Shtuar më 05/11/2008, ora 17:58
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori