Presidenti Sejdiu uron Obamen
Albeu.com
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu i dërgoi sot një letër urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve – 4 Korrikut.
Presidenti Sejdiu, me këtë rast, u shpreh tejet mirënjohës për mbështetjen që SHBA-të i kanë dhënë në të kaluarën dhe po vazhdojnë t’i japin shtetit të ri të Kosovës në përmbushjen e idealeve të demokracisë.

“I nderuari President Obama, në emër të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, ju uroj Juve Shkëlqesi, Qeverisë Suaj dhe tërë popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Ditën e Pavarësisë të Shteteve të Bashkuara - 4 Korrikun. Kjo ditë e veçantë nderon historinë e pasur të Amerikës dhe shenjon të ardhmen prosperuese që ka përpara shteti Juaj i madh”, thuhet ndër të tjera në telegramin e urimit.

“Ishin pikërisht principet e baballarëve themelues të shtetit Tuaj ato që prinë

popullin amerikan dhe që premtojnë një ardhmëri të ndritshme për Shtetet e Bashkuara dhe për të gjitha ata që u besojnë idealeve tona të përbashkëta të lirisë dhe të paqes. Po ato principe e udhëheqin sot Kosovën dhe kjo lidhje e përbashkët në mes dy shteteve tona e ka shndërruar Kosovën dhe popullin e saj në aleatin më të palëkundur që Shtetet e Bashkuara kanë sot dhe do të kenë përherë në të ardhmen”, është shprehur Presidenti Sejdiu në letrën dërguar Presidentit Obama.
“Popullit të Republikës së Kosovës, 4 Korriku ia përkujton zemërgjerësinë e paparë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përkrahjen që ajo ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës, si dhe për mbështetjen e gjithanshme që po jep sot për zhvillimin e vendit tim. Prandaj, populli i Kosovës qëndron me Amerikën për ta nderuar këtë ditë monumentale dhe mbetet falënderues ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e palëkundur për Republikën e Kosovës”, ka theksuar për fund Fatmir Sejdiu.
Shtuar më 04/07/2010, ora 14:18
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori