Presidenti Sejdiu shtyn per 11 prill zgjedhjet ne Istog
Albeu.com
Presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, ka vendosur që të ndryshojë vendimin e tij lidhur me datën e caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve në Komunën e Istogut, për të cilën vetëm disa ditë më parë mori vendim që zgjedhjet atje të mbahen më 4 prill.
Kjo datë është kundërshtuar nga Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës, si dhe nga PLK-ja, të cilat i kanë kujtuar presidentit Sejdiu se 4 prilli është festë zyrtare në Republikën e Kosovës, më saktësisht Dita e Pashkëve.
Dhe vetëm një ditë pas ankesës së partive të lartpërmendura presidenti Sejdiu së bashku me partitë të cilat do të garojnë në Komunën e Istogut janë pajtuar që zgjedhjet në Istog të mbahen më 11 prill.
“Presidenti është takuar me përfaqësuesit e katër partive që do të konkurrojnë në Komunën e Istogut si me atë të LDK-së, PDK-së, LDD-së dhe AAK-së, si dhe me përfaqësues të KQZ-së dhe është arritur pajtimi që mbajtja e zgjedhjeve në Istog të shtyhet për një javë ditë që i bie më 11 prill”, ka treguar për “Kohën Ditore”, Xhavit Beqiri, zëdhënës i presidentit Sejdiu. Vendimi i presidentit për të ndryshuar datën është marrë pasi që dy subjektet politike PSHDK-ja dhe PLK-ja kishin konsideruar se mbajtja e zgjedhjeve në Ditën e Festës së Pashkëve është lëshim ndoshta i padashur, apo i rastit, i cili duhet të korrigjohet nga presidenti Sejdiu. “Siç dihet, zgjedhjet në Istog duhet të përsëriten, pas vdekjes së ish-kryetarit të zgjedhur të kësaj komune Fadil Ferati dhe duhet dhënë mundësi të gjithë qytetarëve dhe subjekteve garuese të votojnë në kushte normale dhe atmosfere elektorale e cila nuk mund të jetë e tillë dhe të korrespondon me të Dielën e Pashkëve”, ka qenë kërkesa e dy partive të lartpërmendura. Mirëpo, zëdhënësi Beqiri ka thënë se caktimi i datës katër prill për mbajtjen e zgjedhjeve është një lëshim i vogël, pasi që, sipas tij, kjo festë jo gjithherë bie në datë të njëjtë.
“Kjo është festë që në të shumtën e rasteve nuk bie në datën e njëjtë, kështu që na ka shpëtuar kjo datë dhe është marrë vendimi për katër prill, mirëpo pas konsultave që presidenti ka pasur është ndryshuar data e cila do t’i përshtatet edhe KQZ-së që të ketë edhe më shumë kohë për organizimin e zgjedhjeve në Istog”, ka deklaruar Beqiri. Se 11 prilli do të jetë data për mbajtjen e zgjedhjeve në Istog e kanë konfirmuar edhe burime të gazetës brenda KQZ-së, sipas të cilave pritet që presidenti Sejdiu ta bëjë publik vendimin e ri e enjte (sot).
“Pasi që katër prilli është festë zyrtare definitivisht jemi marrë vesh që zgjedhjet në Komunën e Istogut të mbahen më 11 prill dhe këtë vendim presidenti Sejdiu ka shumë gjasa që ta bëjë publik të enjten”, ka treguar burimi i gazetës në KQZ. Nga ana tjetër, kryetarja e këtij institucioni, Nesrin Lushta, ka bërë me dije, të enjten, pas mbledhjes së rregullt të KQZ-së, se presidenti ka thënë se organizimi i zgjedhjeve në Istog është një proces i ri nga fillimi për të cilin i duhet kohë KQZ-së.
“Presidenti ka marrë një vendim, mirëpo është mundshme që të rishqyrtohet. Aty është afati 30 deri në 45 ditë dhe KQZ-ja konsideron se i nevojiten 45 ditë për përgatitje për arsye sepse janë zgjedhje nga fillimi, d.m.th me regjistrimin e partive politike aplikim për regjistrim votimin përmes postës dhe të gjitha operacionet e tjera dhe për këto arsye na nevojitet ky afat kohor”, ka theksuar Lushta.
Shtuar më 25/02/2010, ora 16:37
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori