Presidenti Sejdiu përshëndet vendet e KS-së për qëndrimin pro pavarësisë së Kosovës
Pëlqej
Albeu.com
Presidenti Fatmir Sejdiu ka mirëpritur angazhimin e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit pro pavarësisë së Kosovës.Këtë deklaratë ai e bëri pas takimit me Xhulio Terci, drejtor politik në Ministrinë e Jashtme të Italisë, të cilin e falenderoi për qëndrimin edhe këtij vendi pro zgjidhjes së çështjes së Kosovës si vend i pavarur.
Presidenti tha se në këtë takim përgëzues ka marrë mesazhe të drejtpërdrejtë urimi nga ministri i Jashtëm Xhankarlo Fini dhe qeveria italiane në mbështetje të Presidentit dhe të institucioneve të Kosovës.
"Ne besojmë në një qëndrim të përbashkët të mbështetjes së vullnetit politik të popullit të Kosovës për pavarësi, një Kosovë të cilën ne e duam bashkë e që do të jetë demokratike, të ofrojë shansa të jetës së përbashkët për të gjithë qytetarët e saj pa dallim etnie dhe një Kosovë si e tillë që do të përgatitet të rrugëtojë shumë shpejt në integrimet euro-atlantike", tha Sejdiu. Diplomati italian Xhulio Terci tha se takimi ishte fokusuar në rëndësinë e procesit të bisedimeve për statusin e Kosovës.
"Ne në Romë mendojmë se është plotësisht e rëndësishme që të dyja palët të negociojnë seriozisht, hapur me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve reale për çështjet konkrete", tha ai.
Ndërkaq Presidenti mbledhjen e Këshillit të Sigurimit e cilësoi si rrjedhë korrekte që respekton vullnetin e popullit shumicë në Kosovë. "Mirëpres angazhimet e të gjithë atyre që dhanë dje në Këshillin e Sigurimit për të mbështetur opsionin real të pavarësisë së Kosovës, që është opsion konform vullnetit politik të popullit të Kosovës", tha ai.
Në këtë kontekst ai tha se edhe vendi ynë ka obligime që duhet të vazhdojë me realizimin e tyre, dhe "posaçërisht në çështjen e standardeve, për të cilat qeveria e Kosovës është shumë e angazhuar".
Anëtari i Grupit Negociator Veton Surroi, që mori pjesë në këtë takim bashkë me koordinatorin Blerim Shala, tha se në të gjitha instancat, "posaçërisht nga shtetet e rëndësishme të Grupit të Kontaktit në mënyrë të përhershme po na përsëritet përmbushja e standardeve, ngecja posaçërisht në sferën e rendit e të ligjit, zbatimit të atyre që janë funksione demokratike". qik
Shtuar më 15/02/2006, ora 15:13
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori