Presidenti Sejdiu kerkon respektimin e protokollit te shtetit
Albeu.com
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka paralajmëruar të premten se do të kërkojë nga EULEX-i dhe nga përfaqësuesit institucionalë të vendit, që gjatë ushtrimit të mandatit të tyre t’i respektojnë ligjet në fuqi.
Këtë paralajmërim ai e ka bërë duke e marrë si shkas kontrollin që i është bërë para dy ditësh kryeministrit Hashim Thaçi dhe katër ministrave të tjerë të Qeverisë së Kosovës, nga policia e EULEX-it. Kreu i shtetit është shprehur të mos ketë qenë në dijeni për këtë “ushtrim kontrolli” mbi zyrtarët e lartë vendës, megjithatë është zotuar se do të kërkojë respektim të proceduarave të protokollit të shtetit. “Unë s’kam informacion. Tash mora vesh këtë që mund të ketë ndodh dhe nuk kam ndonjë sqarim të veçantë. Por, unë them se duhet të respektohen procedurat e protokollit të shtetit”, ka deklaruar sot presidenti Sejdiu, me t’u kthyer nga vizita zyrtare në Malajzi. Po si do të veprojë ai nëse EULEX-i ka bërë kapërcim të mandatit të vet. Këtu nuk ka pasur përgjigje konkrete.
“Nëse është bërë kapërcim (nga EULEX-i), me siguri që nuk janë respektuar proceduarat e protokollit. S’dua të komentoj më tepër”, ka thënë i pari i vendit. Për të me rëndësi është që institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare që janë në mbështetje të institucioneve të vendit, t’i respektojnë ligjet.
“EULEX-i e ka mandatin e vet. Është pjesë mbështetëse për sundimin e rendit dhe ligjit dhe nuk dua të analizoj më tepër”, ka shtuar presidenti Sejdiu.
Doganierët e EULEX-it kishin marrë urdhër nga udhëheqësit e tyre që të kontrollojnë në detaje bagazhin e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe katër ministrave të tjerë, para se ata të udhëtonin për në Turqi. Burime të gazetës brenda Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, kanë deklaruar se doganierët e EULEX-it nuk qëndrojnë asnjëherë në zonën VIP, ku kalojnë delegacione dhe persona të rëndësishëm. Sipas po këtij burimi të gazetës, doganierët e EULEX-it kanë kontrolluar në detaje bagazhin e kabinetit të Qeverisë së Kosovës, si dhe kishin parkuar një veturë të tyre, para hyrjes në zonën VIP të aeroportit, duke mos lejuar kalimin e veturave të delegacionit kosovarë.
EULEX-i në anën tjetër, nuk ka dhënë detaje për arsyet e kontrollit të djeshëm dhe këtë aksion e ka quajtur “të zakonshëm”.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës, ende nuk është njoftuar për këtë aksion të doganierëve të EULEX-it dhe sipas zëvendës-kryeministrit Hajredin Kuçi, janë në pritje të një njoftimi zyrtarë.
“Informata zyrtare nuk kam, do ta shqyrtojmë rastin dhe do të shikojmë si ka qenë puna”, ka deklaruar Kuqi.

Burime ndërkombëtare i kanë thënë “Kohës Ditore” se kontrolli i zyrtareve të lartë vendës është kryer për shkak të dyshimeve mbi njërin nga anëtarët e delegacionit zyrtar. Këto burime kanë mohuar që dyshimet kanë rënduar mbi ministrin e Transportit, Fatmir Limaj.
Shtuar më 21/05/2010, ora 17:07
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori