Zgjedhja e presidentit, Patozi fton në bisedime Ruçin
Astrit Patozi
Pas shprehjes së gatishmërisë së Partisë Socialiste për të negociuar mbi presidentin e ri, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi i ka dërguar një letër të hapur homologut të tij Gramoz Ruci.

Patozi deklaroi se Partia Demokratike është e gatshme për një proces, transparent, të qytetëruar dhe gjithëpërfshirës.

“Siç të gjithë e dimë, dje nisi procedura e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës. Partia Demokratike, si forca kryesore e mazhorancës qeverisëse, e konsideron këtë si një moment solemn, jo vetëm për politikën, por për mbarë publikun shqiptar. Në filozofinë tonë, zgjedhja e Presidentit duhet të shërbejë për ngritjen në një nivel të ri të komunikimit mes forcave politike, por edhe për ngritjen në një stad të ri të emancipimit të shoqërisë sonë demokratike. Në këtë kontekst, ne jemi të prirur për një proces, sa transparent, aq edhe të qytetëruar, sa gjithpërfshirës, aq edhe serioz e kushtetues, i cili të nderojë secilin prej nesh dhe atë që ne përfaqësojmë”, shkruan ai në letër.

Në rolet e negociatorëve të Partisë Demokratike, do të jenë Patozi dhe Edmond Spaho të cilët presin nga PS pergjigje mbi datën e takimeve. /albeu.com/
Shtuar më 25/05/2012, ora 19:07

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori