Presidenti Nishani ngushëllon familjarët e aktores Besa Imami
Pëlqej
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nëpërmjet një mesazhi të bërë publik sot në mëngjes, ngushëllon familjarët e aktores së shquar të skenës dhe ekranit shqiptar Besa Imami.

“Kam ndjerë një trishtim të thellë dje, kur mora vesh për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj më të dashur, aktores së madhe Besa Imami.

Ky lajm më ka prekur jashtëzakonisht thellë dhe është një humbje e madhe për kulturën shqiptare në përgjithësi, teatrin në veçanti dhe gjithë shoqërinë shqiptare. Besa do mbahet mend gjithmonë, se e vuri qenien e jetës së saj në shërbim të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, duke u bërë një nga figurat më të shquara në këto dy gjini artistike. Do kujtohet prej artdashësve të shumtë për interpretimin e përsosur të personazheve historike të gruas shqiptare si ‘Donika e Skënderbeut’, por edhe roleve të shumtë me përmbajtje social-psikologjike, mitologjike, patriotike, emancipuese, etj., të cilët jepnin kurdoherë mesazhe kulturë formuese.

Ajo i ka dhënë nder dhe krenari teatrit, kinematografisë me rolet e shumta që ka luajtur në skenë dhe kinematografi. Por jo vetëm kaq. Së bashku me Violeta Manushin, Drita Pelinkun, Tinka Kurtin, Margarita Xhepën dhe shumë gra të tjera shqiptare i kanë hapur rrugë me kurajë një emancipimi të vrullshëm shoqëror që përjetoi gruaja shqiptare.

Besa Imami e donte shumë kombin e saj. E ardhur nga Kosova në Shqipëri me familjen e saj i fali dashurisë së atdheut, jo vetëm artin e saj, por edhe zemrën e saj. Dhe këtë dashuri e ka shprehur jo vetëm nëpërmjet roleve të shumtë në skenë, por përditshmërisht në çdo bisedë të lirë.

Duke ndarë këto momente të hidhura me ju, të dashurit e saj, dhimbjen time më të thellë, jam i bindur se kujtimi dhe vepra e saj kulturore ne fushën e teatrit, kinematografisë dhe operës shqiptare do të kujtohen dhe mbeten gjallë si një pasuri e përjetshme për të gjithë kombin shqiptar.

U prehtë në paqe shpirti i saj!” – thuhet në mesazhin e ngushëllimit të Kreut të Shtetit.
Shtuar më 22/09/2014, ora 10:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori