Interi, ofertë 25 milionë euro për yllin e Bajernit dhe një tjetër Turam

Dështimi i transferimit të Lazar Samarxhiçit në Milano ka hapur skenarë të rinj tek Interi, me drejtuesit që duhet ende të përcaktojnë bashkë me Inzagin linjën për t’u ndjekur. Nga njëra anë është Stefano Sensi, qëndrimi i të cilit nuk përjashtohet, por muskujt e të cilit nuk garantojnë siguri, siç është provuar në të shkuarën.

Në anën tjetër, Simone Inzagi u ka kërkuar drejtuesve në rast të largimit të italianit një mesfushor të gjashtë “alla Galjardini”. Trajneri synon të ketë një mesfushor fizik për ta aktivizuar në minutat e fundit të ndeshjes, të aftë të mbrojë rezultatin dhe të ndihmojë mbrojtjen, duke parë edhe që krahët janë më shumë teknikë se fizikë. Së fundmi, ka një emër që po fiton gjithnjë e më shumë terren në zyrat e drejtuesve zikaltër dhe bëhet fjalë për Kefre Turam, vëllain e Markusit, që mund t’i bashkohej sulmuesit në Milano. Nisa ama nuk ka ndërmend ta lërë të shkojë mesfushorin pa shifrën e duhur dhe momentalisht kartoni i 22-vjeçarit vlerësohet me 40 milionë euro, një shumë e lartë për zikaltrit, që për momentin ende po monitorojnë situatën.

PAVAR – Por ndërsa kërkohet një emër për mesfushën, tek Interi nuk kanë lënë pas as mbrojtjen, ku ende nevojitet një përforcim. Në skenë ka dalë sërish Benzhamë Pavar, një objektiv i hershëm i zikaltërve. Francezi ka një kontratë që skadon në 2024-ën me Bajern Mynihun dhe duket se e mendon të ardhmen e tij larg bavarezëve. “Ben nuk më ka thënë asgjë për dëshirën për t’u larguar”, shprehej dje trajneri i tij Tomas Tuhel, por pavarësisht kësaj, sipas “Bild” ka pasur dje një ofertë zyrtare rë Interit. Italianët kanë ofruar 25 milionë euro, me Bajernin që ka refuzuar dhe u ka bërë të ditur se për Pavarin kërkon 35-40 milionë euro. Negociatat priten të vazhdojnë, ndërkohë që në ndjekje të 27- vjeçarit është edhe Mançester Junajtid, por qëndrimi i Herri Meguajërit ua ka prishur planet “djajve të kuq”, që duken një hap mbrapa në këtë garë.


Shtuar 18.08.2023 09:52