Presidenti me dy vendlindje, Pakashticën dhe Hotlën
Pëlqej
Albeu.com
Ana e panjohur e biografisë së Fatmir Sejdiut: Ai së bashku me familjen ka jetuar në fshatin Hotël të Likovës (Kumanovë). Atje ka jetuar edhe xhaxhai i Fatmirit, Shefki Sejdiu, babai i Pleuratit. Ata në Hotël kanë jetuar si të ndjekur nga regjimi i atëhershëm jugosllav në Kosovë.nga SELAJDIN SHABANI, Lajm
Fatmir Sejdiu, presidenti i ri i Kosovës, disa vite të fëmijërisë i ka kaluar në fshatin Hotël të Likovës. Këtë e dëshmojnë disa pleq që e mbajnë në mend atë kohe. “Familja e Fatmir Sejdiut pesë apo gjashtë vite ka jetuar në fshatin tonë pasi babai i tij, Nexhmiu, ndoshta edhe ka qenë mësues në fshatin tonë. Familja e tij ka banuar afër shkollës dhe ka pasur dy dhoma”, thotë plaku Selver Rushiti (82) nga fshati Hotël. Ai kujton se shumë herë familjen tij e kanë ndihmuar me çka ka pasur.
Plaku Selver thotë se gjatë luftës së Kosovës më 1999, babai i Fatmir Sejdiut, Nexhmiu bashkë me Fatmirin, e kishin vizituar fshatin Hotël dhe familjen e plakut Selver.
“Gjatë luftës së Kosovës babai i Fatmirit, Nexhmiu dhe vet Fatmiri kishin ardhur të takonin familjen tonë dhe gruan time Nazmijen, e cila ishte kujdesur shumë për ta gjatë kohës që ata kanë jetuar këtu, në vitet 50-të. Por shoqja ime Nazmije, për fat të keq, kishte ndërruar jetë më herët. Me këtë ata nuk na kishin harruar nderin dhe sikur na kthyen respektin ndaj nesh”, kujton Rushiti.
Rufat Rushiti, bashkëkohanik i Fatmirit, kujton se gjatë këtij takimi Fatmiri është shprehur për nënën e tij Nazmijen: “Unë i kam dy nëna!”.
Duke e përkujtuar Fatmirin si fëmijë Selveri thotë se ka qenë i shëndoshë për nga shëndeti. “Tash ishte më i zaift dhe mezi e kemi njohur”. Sipas tij Fatmiri ka qenë fëmijë i urtë dhe i mirë.
Plaku 65 vjeçar nga Hotla, Hazir Jusufi rrëfen se babai i Fatmirit, Nexhmi Sejdiu, gjatë viteve të 50-të, të shekullit të kaluar, ka punuar si mësues në shkollën fillore të këtij fshati. Gjatë asaj kohe Fatmiri ka qenë fëmijë i vogël. Ai me familjen e tij në Hotël kanë jetuar disa vite, kurse për në Kosovë janë kthyer pak para se ai të fillojë të ndjekë mësimet në shkollë”.
Si me hamendje ai thotë se Fatmiri mund të jetë lindur në Hotël. “Duhet të kenë qenë vitet 1949-1951, por nuk mbaj mend saktë. Ata kanë jetuar disa vite këtu në fshatin Hotël”.
Së bashku me familjen e Fatmir Sejdiut, në fshatin Hotël, ka jetuar edhe xhaxhai i Fatmirit, Shefki Sejdiu, i ati i Pleurat Sejdiut, sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës. Ai ka punuar si inspektor i shkollave.
Plaku Hazir Jusufi rrëfen se ata në fshatin Hotël kanë jetuar si të përndjekur nga regjimi i atëhershëm jugosllav.
Edhe studentë dhe banorë të tjerë nga Kumanova dhe fshatrat e Likovës, që kanë studiuar në Prishtinë, thonë se Fatmir Sejdiun e njohin si vendas të tyre dhe se ai shumë herë është interesuar për fshatin Hotël. Sekretari i komunës së Likovës, juristi Nexhati Osmani, kujton se gjatë studimeve kryetari aktual Fatmir Sejdiu i ka thënë se edhe ai është nga fshati Hotël, ndërkohë që në vitin 2000 Fatmiri ka qëndruar në lokalet komunës së Likovës dhe ka kërkuar çertifikatën e lindjes.
Pedagogu Zeqirja Latifi, duke përkujtuar takimin e rastësishëm me Fatmir Sejdiun, në vitin 1985, thotë se vetë presidenti i sapozgjedhur i Kosovës i kishte thënë se ka jetuar në Hotël, kurse shërbimin ushtarak e kishte kryer në Shkup. Njëra nga motrat e presidentit Shqipja me profesion juriste është e martuar në Strugë dhe jeton në SHBA, kurse një motër tjetër është martuar dhe jeton në Shkup.
Shtuar më 13/02/2006, ora 15:19
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori