Presidenti i ri, shtohen "ethet" politike
Zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës do të vërë në një rrugëtim paralel procedurat zyrtare dhe procesin konsultativ të liderëve politikë.Para mesjavës, pritet të zhvillohet mbledhja e konferencës së kryetarëve, ku do të përcaktohet kalendari i posaçëm për raundet e votimit për Presidentin e ardhshëm të republikës,

Neni 109 i Rregullores së Kuvendit përcakton se realizimi i kësaj procedure mund të zgjasë deri në 5 javë, duke parashikuar 1 raund votimi për çdo javë, ku data e para mund të jetë para 31 majit.

Me nisjen e procedurës parlamentare do të bëhet e mundur dhe paraqitja në Kuvend e propozimeve konkrete, me firmat e të paktën 20 deputetëve mbështetës të kandidatit për Kreun e Shtetit.

Pikërisht për listën e këtyre 20 deputetëve, por edhe më shumë të mandatuarve, do të jetë i një rëndësie parësore procesi i konsultimeve mes krerëve të partive parlamentare.

Vetë kryeministri Sali Berisha, ka përshpejtuar kthimin e tij nga vizita zyrtare në SHBA, dhe pritet që duke nisur nga e marta të nisë turin e takimeve me kryetarët e partive për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm të Republikës.

Burime të Ora News thanë se takimi i parë do të jetë me kreun e LSI, Ilir Meta, i cili një ditë më parë dha sinjale pozitive sa i përket vijimit të marrëveshjes politike me PD, duke deklaruar se Kreu i ri i Shtetit do të zgjidhet që në raudin e parë të votimit.

Kryeministri Sali Berisha para mediave ka dhënë një përgjigje pozitive për ftesën e kryesocialistit Edi Rama për një takim për cështjen e Presidentit, një cështje që pritet të ulë pas shumë kohësh në një tryezë liderin e mazhorancës dhe atë të opozitës.

Berisha dhe Rama janë ndarë qartazi tek emri i Presidentit të ardhshëm, Kryeministri ka deklaruar se ai do të propozojë një nga emrat e kupolës së PD, ndërsa kryesocialisti ka deklaruar se ky vendim do të prishte cdo konsensus. Këto qëndrime diametralisht të kundërta e bëjnë edhe më interesant takimin.

Nga ana tjetër, kreu i qeverisë pritet të ketë takime edhe me parti të tjera brenda dhe jashtë koalicionit të tij, në përpjekje për të marrë mbështetje për kandidatin që do të propozojë mazhoranca.

Rruga e konsultimeve nuk ka përfunduar as për kryescialistin Edi Rama, i cili gjatë kësaj jave duhet të takohet me kreun e PR, Fatmir Mediu dhe nismëtarin e FRD, Gazmend Oketa.

Ky tur takimesh e procedurash zyrtare duket se sjellin më afër ethet e garës presidenciale, edhe pse temperaturat politike për Kreun e ri të Shtetit janë rritur shumë kohë më parë. /albeu.com/
Shtuar më 21/05/2012, ora 16:16

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori