Presidenti i Çalik Holding nderohet me Çmimin e Solidaritetit Social
Ahmet Çalik
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i ka akorduar Presidentit të Çalik Holding, z. Ahmet Çalik, Çmimin e Solidaritetit Social për vitin 2014, me motivacionin: “Për vëmendje dhe kontribut të veçantë të kompanive të Çalik Holding në Shqipëri”.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj ia ka dorëzuar këtë çmim z. Çalik në një ceremoni të zhvilluar në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë. Ky është Çmimi i parë i këtij lloji në vend që synon të bëhet traditë e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Të pranishëm në ceremoni ishin Ambasadori i Republikës së Turqisë, z. Hidayet Bayraktar, drejtues të agjencive turke në Shqipëri, përfaqësues të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, si dhe përfaqësues të BKT dhe ALBtelecom.
Të ftuarit u mirëpriten nga Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, znj. Etleva Bisha, e cila duke falënderuar z. Çalik në emër të institucionit që drejton, u shpreh se bashkëpunimi i shkëlqyer me kompanitë e Çalik Holding në Shqipëri e meriton plotësisht një vlerësim të tillë.

Ndërkohë, Ministri Veliaj, në fjalën e tij, falënderoi përzemërsisht z. Çalik për kontributin e vazhdueshëm social që kompanitë e tij kanë dhënë në Shqipëri, duke theksuar se ky është një shembull për t’u ndjekur dhe të gjithë duhet të kontribuojmë në këtë drejtim.

“Madhështia e njeriut nuk përcaktohet nga paraja apo pushteti, por nga dashuria me të cilën u shërben njerëzve në nevojë”, u shpreh zoti Ministër.

Z. Çalik tha se ky çmim u shkon punonjësve të kompanive që operojnë këtu.

“Më lumturon fakti që operatori më i madh në vend ALBtelecom dhe Eagle Mobile, si dhe banka më e madhe në Shqipëri BKT kanë bërë diçka shumë të mirë. Me konfirmimin tonë ata u kanë dhënë mbështetje fëmijëve shqiptarë. Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë. Unë jam i gëzuar që grupi më i madh i telekomunikacionit në Shqipëri, ALBtelecom dhe Eagle Mobile dhe banka më e madhe në vend, BKT, në bazë të filozofisë së Grupit tonë kanë kontribuar për fëmijët”, ka thënë Çalik.

Gjatë këtij vitit janë rinovuar mobiljet e Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë; është restauruar Shtëpia e Fëmijës në Vlorë, Qendra Sociale e Velipojës, Salla e kinemasë së “Zyber Hallullit”; janë dhuruar pajisje mjekësore për sektorin e shëndetësisë; është ofruar internet falas për Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër; kemi mbështetur fushatën mjedisore të pastrimit të Shqipërisë, si dhe kemi kontribuar në shtimin e gjelbërimit në kryeqytet me mbjelljen e pemëve.

ALBtelecom dhe Eagle Mobile janë grupi më i madh i telekomunikacionit në Shqipëri që ofron një shërbim të katërfishtë: Telefoni Fikse, Celulare, Internet dhe Televizion. Ndërkohë që BKT është vlerësuar për të 5-tën herë nga “The Banker” si “Banka më e Mirë e Vitit”, është banka më e madhe në vend me një portofol të gjerë shërbimesh.

Të dyja kompanitë, duke ndjekur të njëjtën filozofi ndaj përgjegjësisë sociale, ecin paralel me politikat e përgjegjësisë sociale të korporatës së Çalik Holding dhe janë të vendosura e të fokusuara për të kontribuar edhe më tej në projektet e përgjegjësisë sociale në vend. /albeu.com/
Shtuar më 19/12/2014, ora 13:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori