Basha përshëndet ndihmën 1.2 milion dollarë të SHBA për COVID-19 në Shqipëri

Kreu i Partisë Demokratike ka shprehur mirënjohjen ndaj ShBA dhe Ambasadës amerikane në Tiranë për ndihmën prej 1.2 milionë dollarë në luftën ndaj koronavirusit.

“Falë saj, mundësohet rritja e testimeve dhe aktivizimi i zbulimit dhe mbikqyrjes së të infektuarve dhe kontakteve të tyre.Testimi është e vetmja mënyrë për të kuptuar përhapjen e virusit dhe projektuar rrugëdaljen nga kriza” shkruan Basha në Twitter.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndihmojnë Shqipërinë me 1.2 milionë dollarë, për të fituar përballjen me koronavirusin.

Lajmin e bëri të ditur një ditë më parë ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, e cila qartësoi në “Twitter” se kjo ndihmë do të shkojë për përgatitjen e sistemeve laboratorike, aktivizimin dhe mbikëqyrjen e rasteve të reja të të infektuarve e të tjerë.

“Fondi amerikan për të ndihmuar Shqipërinë të luftojë COVID-19 tani arrin në 1.2 milion dollarë, duke e çuar në 693 milionë dollarë ndihmën totale të SHBA-së për Shqipërinë në 20 vitet e fundit.

Kjo do të ndihmojë në përgatitjen e sistemeve laboratorike, aktivizimin e mbikëqyrjes së rasteve, mbështetjen e ekspertëve teknikë, forcimin e komunikimeve të rrezikut”, shkruante Kim në Twitter.


Shtuar 18.04.2020 18:10