Presidenti, Fyle: Të përfaqësojë frymën e unitetit
Komisioneri i BE për Zgjerimin, Shtefan Fyle, pas takimit me kryeministrin Sali Berisha, në një konferencë të përbashkët deklaroi se nuk ka ardhur në Tiranë për të diskutuar se çfarë ka ndodhur në të shkuarën, por për të parë drejt së ardhmes dhe hapave që do të ndërmerren tani e tutje.

"Edhe kryeministri e ka përmendur që viti 2013 na afron me mundësinë që Shqipëria të bëjë një hap tejet të madh drejt
integrimit europian dhe duhet ecur përpara, sidomos me marrëveshjen politike të nëntorit të vitit 2011. Po ashtu kemi diskutuar për Planin e Veprimit për të adresuar prioritetet kyçe dhe e kemi vlerësuar frymën gjithëpërfshirëse", tha Fyle.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit, komisioneri shprehu fillimisht kënaqësinë për arritjen e një mirëkuptimi të përbashkët, lidhur me vendosmërinë e qeverisë dhe të PS-së për të përfunduar punen për reformen zgjedhore.

"Kjo është shumë e rëndësishme sepse na bën që të sigurohemi se zgjedhja e presidentit të jetë pjesë e zgjidhjes se problemeve. Nuk jam këtu për të dhënë leksione, por unë nuk dëshiroj të iki pa thënë se ajo që është e rendesishme që zgjedhja e presientit do të thote që në atë zyrë të vijë dikush që pasqyron frymën e Kushtetutës dhe një person që përfaqson frymen e unitetit", tha Fyle.

Ndërsa Berisha u shpreh se 12 prioritetet e BE-së kanë qenë përparësi në të gjitha institucionet. Duke folur për zgjedhjen e presidentit, Berisha u shpreh se e kishte siguruar komisionerin, se e konsideron këtë një proces të rëndësishëm, që duhet të respektojë frymën e Kushtetutës, një proces për të cilin maxhoranca do të angazhohet në kohën e përcaktuar nga Kushtetuta e vendit. /albeu.com/
Shtuar më 03/05/2012, ora 11:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori