Presidenti fyen Pacollin
Albeu.com
Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacolli kanë pasur një bisedë të pakëndshme telefonike. Presidenti, me tonë të lartë, i ka thënë Kryetarit të AKR’së që mos të thirret në emrin e tij në takime me diplomatë të ndryshëm, duke ia përmendur një ndejë në “Ambasadën e Iranit në Washington”.Politikani opozitar ndihet i fyer nga komentet e Presidentit. Ai thotë se kurrë nuk është takuar me zyrtarë iranianë, e për më tepër ky shtet nuk ka as Ambasadë në SHBA.

***
Një telefonatë e para disa ditësh mes Presidentit të Republikës, Fatmir Sejdiu, dhe Kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka thelluar edhe më tej ndarjet që ekzistojnë prej kohësh mes tyre.

Për më tepër, 29 prilli duket se përfundimisht ka shuar gjasat që në të ardhmen ata të kenë raporte normale.

Në një prononcim për Gazetën Express, të shtunën, Behgjet Pacolli ka folur për telefonatën e pakëndshme me Fatmir Sejdiun, duke treguar në detaje fjalët e shkëmbyera për disa minuta me Shefin e Shtetit.

Ai thotë se është akuzuar nga Presidentit se në emër të tij ka takuar diplomatë të vendeve që nuk e kanë njohur Deklaratën e Pavarësisë. Për më tepër, thotë Pacolli, Presidenti - me tone të larta - i ka kërkuar të mos e përmend askund emrin e tij.

“Kjo nuk është aspak e vërtetë”, ka thënë Pacolli.

“Ky është një abuzim institucional kundrejt personit tim dhe kundër punës time”, ka shtuar i pari i AKR’së.

Ai, më pas, ka shpjeguar në detaje bisedën me Presidentin.

“Më 29 prill 2010 më thirri në telefon Presidenti dhe më tha – ‘Behgjet ku je’? Unë i thash - ‘jam në Zvicër z. President’”, ka nisur rrëfimin e tij Lideri i AKR’së.

“Pas një hyrjeje shumë të shkurtër, Presidenti më thotë - ‘ti, ne emër timin, po takohesh me njerëz’”, vazhdon Pacolli.
Kjo deklaratë e ka tronditur politikanin opozitar.

“Pas kësaj unë u stepa dhe e luta Presidentin që të më japë sqarime shtesë për atë që thoshte. Ai vazhdoi duke thënë se - ‘ti, në emër timin, ke shkuar në Ambasadën e Iranit në Washington’. Pas kësaj unë reflektova pak dhe fillova t’i shpjegoj Presidentit se asnjëherë në jetën time nuk e kam përdorur emrin e tij dhe nuk kam pasur nevojë ta përdor emrin e tij”, thotë ai.

“Më pas vazhdova duke i thënë se nëse duhet t’i jap një përgjigje Institucionit të Presidentit, atëherë mund ta garantoj atë se nuk e kam përdorur emrin e tij dhe nuk kam qenë kurrë në ambasadat e Iranit. Njëkohësisht i thash se nëse duhet t’i jap një shpjegim si qytetari-qytetarit, atëherë nuk kam kurrfarë nevoje me e përdor emrin e tij dhe nuk konsideroj se më hyn në punë në jetën time emri i tij”, vazhdon rrëfimin Kryetari i AKR’së.

Por, edhe pas kësaj, sipas Pacollit, Sejdiu ka vazhduar me të tijën. Në këtë situatë, Lideri i AKR’së i ka dhënë Presidentit një leksion të rëndësishëm, i cili duket se nuk ka qenë i njoftuar me faktin se Irani nuk ka përfaqësi diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga viti 1981.

“Unë i thashë: - ‘President, për ndihmesën tuaj, që nga viti 1981 Irani nuk ka ambasadë e as konsullatë në SHBA’”, tregon Pacolli.
I zënë ngushtë, Presidenti mbyll telefonin.

“Pas kësaj, ai u befasua pak dhe më tha - ‘do ta verifikoj’ dhe e mbylli telefonin”, thotë Kryetari i AKR’së.
Por, këtu nuk përfundon tregimi.

I fyer nga komentet e të parit të vendit, Lideri i AKR’së ka shkruar një letër të gjatë në të cilën i kërkon Presidentit sqarime për akuzat e rënda.

“Më këtë është tentuar që të dëmtohem për shkak të raporteve që ka Irani me Shtetet e Bashkuara. Por, Perëndia, e drejta është kah ana që duhet të jetë”, thotë Pacolli, duke shtuar se është çuditur nga diskursi i Presidentit.

“Fjalori i tij ka qenë urdhërues - ‘ti s’mund ta përdorësh emrin tim, ti e ke përdorur emrin tim...’”.
Gazeta Express ka siguruar edhe letrën që Behgjet Pacolli ia ka dërguar Presidentit të Republikës dhe disa zyrave të rëndësishme ndërkombëtare në Prishtinë.

“Unë jam shumë i qetë në veprimet e mia, nuk jam njeri i thashethemeve, por i fakteve. Para çdo iniciative ju dhe Ministrinë e Jashtme ju kam informuar, edhe pse nuk kam marrë asnjëherë asnjë përgjigje. Ju garantoj se në mungesën e një përgjigjeje nga ju, do të bëj çmos që akuzuesi të gjendet dhe të përgjigjet publikisht. Edhe në të kaluarën kam vuajtur nga akuza të tilla”, shkruan Pacolli.

Ndërsa, të shtunën, ka qenë e pamundur të kontaktohen zyrtarët e Presidencës. Telefonat e këshilltarëve të Presidentit Sejdiu kanë qenë të mbyllur gjatë gjithë ditës.
Raportet mes Presidentit Fatmir Sejdiu dhe Kryetarit të AKR’së, Behgjet Pacolli, ka qenë të tendosura qysh nga zgjedhjet e vitit 2007. Partia e Sejdiut, LDK, ndihet e dëmtuar në elektorat nga AKR’ja. Pikërisht për këtë, gjatë fushatës elektorale të vitit 2007, Presidenti kishte hedhur akuza të shumta në adresë të Pacollit. Raportet e tyre tendosen edhe më tej, kur Pacolli nisi fushatën e tij për t’i bindur disa shtete që ta njohin pavarësinë e Kosovës. (Leonard Kerquki, express)

Letra e Behgjet Pacollit dërguar Presidentit Sejdiu

z. President, me gjithë respektin që kam për Ju, më duhet të shpreh habinë time për akuzat që formuloni në adresë time, se kinse unë jam prezantuar në emrin tuaj në Ambasadën, gjegjësisht te Ambasadori i Iranit në Washington.
Ju garantoj moralisht dhe materialisht se asnjëherë nuk kam qenë në Ambasadën e Iranit, jo vetëm në Washington, por askund në botë dhe asnjëherë nuk jam prezantuar në emër të ndonjë faktori politik në Kosovë.
Unë, z. President, jam rritur që të prezantohem në emrin tim personal. S’kam nevojë të përdori emrin e askujt.
Pas kësaj deklarate mbetem me plot përgjegjësi dhe kërkoj nga ju që brenda një kohe të shkurtër të ma sqaroni këtë akuzë me shkrim.
Akuzat e tilla janë shumë të rënda dhe ju, si President i Shtetit, është dashur t’i verifikoni informatat përpara se të më akuzoni.
z. President, ju informoj se Irani që nga janari 1981 nuk posedon asnjë përfaqësi diplomatike në SHBA. Nuk ka asnjë diplomat legal e asnjë konsull, përveç atyre në ndërtesën e Kombeve të Bashkuara.
Ju garantoj sërish z. President, se nuk jam prezantuar kurrë në emrin tuaj në përfaqësitë e Iranit, e as që kam biseduar me ndonjë zyrtar të këtij shteti.
Unë nga ju nuk kam kërkuar medalje të artë për punën që jam duke e bërë, përveç ndonjë shenje apo mbështetje morale.
Unë gjithmonë ju kam dërguar çdo informatë lidhur me aktivitetet e mia në fushën e lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Ju lutem, konsultoni letrat që ua kam dërguar deri më tash.
z. President, keni çdo instrument në dispozicion që t’i verifikoni informatat tuaja dhe të më jepni sqarime për akuzat.
Ju, si institucioni më i lartë, mund të më urdhëroni që të ndalem në aktivitetet e mia lobuese, të cilat janë shumë të mundimshme dhe të kushtueshme.
Unë jam shumë i qetë në veprimet e mia, nuk jam njeri i thashethemeve, por i fakteve. Para çdo iniciative, ju dhe Ministrinë e Jashtme ju kam informuar, edhe pse nuk kam marrë asnjëherë asnjë përgjigje.
Ju garantoj se në mungesën e një përgjigjeje nga ju, do të bëj çmos që akuzuesi të gjendet dhe të përgjigjet publikisht.
Edhe në të kaluarën kam vuajtur nga akuza të tilla.

Me nderimet më të larta,
Behgjet Pacolli
Shtuar më 16/05/2010, ora 10:34
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori