Presidenca: “Shqiptarja.com” shpifi për diplomën e Nishanit
Pëlqej
Presidenca ka reaguar sot lidhur me shkrimin e publikuar në të përditshmen “Shqiptarja.com” e cila akuzonte Presidentin e Republikës se kishte diplomë fallco të masterit të marrë nga një Institut Francez në Tiranë.

Drejtori i Kabinetit të Presidentit të Republikës u shpreh se kjo gazetë ka shpifur mbi diplomën e masterit të kreut të shtetit.

“Sot, në Gazetën Shqiptarja.com të botuesit Carlo Bollino, akuzohet Presidenti i Republikës për gjoja diplomë fallco të masterit të Presidentit të Republikës të marrë nga një Institut Francez në Tiranë. Ky shkrim përbën një shpifje dhe ofendim të rëndë ndaj Presidentit të Republikës.
Presidenti Nishani nuk është regjistruar kurrë në një Institut të tillë, nuk ka frekuentuar kurrë një institucion të tillë dhe nuk është pajisur kurrë me një dokument nga ky Institucion. Nuk ka patur kurrë ndonjë deklarim verbal apo me shkrim nga ana e Presidentit Nishani për studime në këtë Institut.
Presidenti Nishani ka kryer studimet pasuniversitare të titullit Master në Universitetin e Tiranës, Shkolla Pasuniversitare për Studimet Europiane ku është diplomuar me notën 10, si dhe ka kryer studime pasuniversitare në Navy Postgraduate School, në Monterey të Kalifornisë”, tha Nuni.
Gjithashtu, ai sqaroi se kabineti i Presidentit e fton gazetën Shqiptarja.com të kryejë të gjitha verifikimet e duhura pranë këtyre institucioneve, frekuentimin e tyre nga Presidenti Nishani si dhe punimet e diplomës dhe vlerësimin e saj nga autoritetet akademike.

“Me këtë rast, edhe njëherë, Presidenti i Republikës i drejtohet popullit shqiptar duke e siguruar atë se do të vazhdojë të qëndrojë i fortë në mbrojtje të Institucionit më të lartë të Shqipërisë, atij të Kryetarit të Shtetit, i papërkulur ndaj çdo lloj shantazhi, intimidimi apo provokimi”, u shpreh Nuni. /albeu.com/
Shtuar më 15/08/2014, ora 13:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori