Presidenca e BE, Rokanas e Sequi takojnë Bashën
Ambasadori i Greqisë z. Leonidhas Rokanas dhe Kreu i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ambasadorin Ettore Sequi zhvilluan sot një takim me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha të cilët e informuan për prioritet e Presidencës Greke të Bashkimit Europian për gjashtë muajt në vijim.

Ambasadori Rokanas e siguroi kreun e opozitës se integrimi i Europës Juglindore vijon të mbetet përparësi kryesore edhe e Presidencës greke dhe se Greqia do të vijojë të mbështesë fuqishëm Shqipërinë në të gjitha hapat e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në këtë proces, roli i Partisë Demokratike si opozita demokratike në vend mbetet jetik për procesin dhe interesat e vendit.

Në këtë kontekst, Ambasadori Rokanas rikonfirmoi qëndrimin se arsyeja e mosdhënies së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, nuk ishin ekstremistët europianë.

Ndërsa Basha shprehu keqardhjen e thellë që qeveria Rama-Meta nuk e ka kuptuar ende se me qëndrimet e saj të shkatërrimit të konsensusit demokratik, të shkeljes flagrante dhe arbitrare të kushtetutës, ligjeve e parimeve themelore të shtetit të së drejtës, me goditjen e institucioneve të pavarura, dobësimin dhe politizimin e policisë dhe organeve të ruajtjes së rendit e sigurisë, presionin politik të paprecedentë ndaj drejtësisë së pavarur, zhbërjen e administratës publike dhe keqadministrimin e financave e ekonomisë shqiptare, me të gjitha këto akte, kjo qeveri është përgjegjësja e vetme dhe kryesore për mosmarrjen e statusit, të cilin e kishte bërë gati Partia Demokratike.

Basha theksoi se kjo qeveri po dëshmon mungesë të plotë të kapacitetit dhe vullnetit për të marrë përsipër përgjegjësitë e procesit të integrimit. Ekziston një shqetësim gjithnjë e në rritje mbarëpopullor për mosrespektimin e shtetit të së drejtës dhe për degradimin e rendit e sigurisë publike si rrjedhojë e qëndrimeve antikushtetuese e antiligjore të kësaj qeverisje.

Në veçanti, pas shkatërrimit të konsensusit nga qeveria, është intensifikuar sulmi ndaj administratës publike profesioniste, me largime masive e kolektive nga puna dhe zëvendësimin me militant politikë pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ka shpallur shtyrjen e zbatimit të ligjit të nëpunësit civil, si antikushtetues.

“Operacioni i shëmtuar i blerjes së votës së qytetarëve në Korçë vendosi një pikëpyetje të madhe për integritetin e kësaj qeverie në raport me parimet demokratike”, tha Basha.
Policia dhe organet e rendit - vijoi kryetari i PD-së - po përjetojnë një degradim dhe uzurpim politik të paprecedentë gjatë këtyre 20 viteve duke reflektuar drejtpërsëdrejti në dobësimin e rendit e sigurisë në vend dhe rritjen e kriminalitetit.

Basha u bëri të njohur ambasadorëve se qeveria ka ndërmarrë një sulm të papranueshëm ndaj institucioneve të pavarura dhe po intensifikon përditë presionin politik mbi drejtësisë, një fenomen ogurzi për një vend demokratik të shtetit të së drejtës dhe një lajm i hidhur për shkeljen e të drejtave themelore e kushtetuese të qytetarëve shqiptarë.Z.Basha ndau me ambasadorët shqetësimin se ekonomia shqiptare ka ngrirë dhe se skepticimizmi i investitorëve shqiptarë e të huaj po kulmon si rrjedhojë e paketës fiskale të varfërimit të shqiptarëve dhe keqadministrimit që kjo qeverisje po u bën financave të tyre por edhe fushatës për rikthimin e monopoleve që kjo qeveri po instalon me shpejtësi anembanë vendit. /albeu.com/

Shtuar më 20/01/2014, ora 16:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori