“Zifti elektoral po hidhet me nxitim”, Partia e Lirisë denoncon: Prova konkrete, si po vidhen taksat e qytetarëve të Tiranës me asfaltin elektoral

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka denoncuar një rast abuzimi në bashiknë e Tiranës përmes asfaltit elektoral.

Përmes një deklaratë për mediet, Blushi tha se pas një verifikimi të kryer në terren në njësinë bashkiake nr.5, ka rezultuar se në tre rrugë të shkruara a brenda një distance prej 70 sekondash larg njëra-tjetrës, metri i asfaltit elektoral është i ndryshëm.

“Në rrugën “Nikolla Tupe”, 1 metër asfalt elektoral koston 19,994 lekë.

Në rrugën mbrapa shkollës “Edit Durham”, metri i asfaltit elektoral koston 25,103 lekë.

Ndërsa në rrugën “Beqir Rusi”, 1 metër asfalt elektoral koston 29,315 lekë.”

Denoncimi i plotë i Partisë së Lirisë:

1 maj 2023

Do të denoncoj sot një rast skandaloz të abuzimit flagrant me taksat e qytetarëve të Tiranës, nëpërmjet asfaltit elektoral, që po hidhet me nxitim nga Erion Veliaj në shumë rrugë të kryeqytetit, të braktisura prej tij prej 8 vitesh.

Nga një verifikim në terren, në Njësinë Bashkiake Nr.5, në tre rrugë të shtruara brenda një distance prej 70 sekondash larg njëra-tjetrës, rezulton se metri i asfaltit elektoral është i ndryshëm.

Ndërkohë kemi të njëjtën kompani ndërtimi, që ka kryer të njëjtin objekt punimesh: sistemim-asfaltim.

(Për të kuptuar më qartë se çfarë ka ndodhur ju ftoj të ndjekim materialin sqarues)

Të dashur qytetarë,

Si është e mundur që brenda një distance kaq të shkurtër, në tre rrugë që ndodhen në të njëjtën zonë dhe në të njëjtin terren, kemi tre çmime të ndryshme për metër të asfaltit elektoral?!

Në rrugën “Nikolla Tupe”, 1 metër asfalt elektoral koston 19,994 lekë.

Në rrugën mbrapa shkollës “Edit Durham”, metri i asfaltit elektoral koston 25,103 lekë.

Ndërsa në rrugën “Beqir Rusi”, 1 metër asfalt elektoral koston 29,315 lekë.

Si shpjegohet që njëra rrugë koston gati 40% më shtrenjtë se rruga tjetër, ndërkohë që kemi të njëjtën cilësi asfalti dhe të njëjtin objekt punimesh?

Arsyeja është shumë e thjeshtë, vjedhja dhe abuzimi me taksat e qytetarëve të Tiranës, nga Kryetari ende në detyrë i Bashkisë, Erion Veliaj.

Ky 40% në fakt nuk është gjë tjetër vetëm korrupsion, lekë të grabitura të qytetarëve të Tiranës, që përfundojnë në xhepat e Erion Veliajt dhe kompanive pranë tij, në funksion të zgjedhjeve.

Kapja në flagrancë duhet t’i mjaftojnë organeve të drejtësisë për të nisur menjëherë hetimet dhe nxjerrjen e përgjegjësisë ligjore për këdo që vazhdon vjedh paturpësisht.

Erion Veliaj nuk pati kohë në tetë vite të ndërtonte një infrastrukturë rrugore dinjitoze për Tiranën!

Me rreth 1 miliard euro buxhet, ai mund të shtronte edhe rrugët e Parisit, por fokusi i tij ishin lejet e ndërtimit dhe vjedhja me mega-aferën e inceneratorit të Tiranës, që nuk ekziston.

Rrugët nuk u shtruan sepse taksat e qytetarëve u vodhën dhe u shpërdoruan!

Me ziftin elektoral që po hidhet tani me nxitim, Erion Veliaj nuk e zbardh dot faqen!

Përkundrazi, po e nxin edhe më shumë duke abuzuar edhe në ditët e fundit të detyrës me taksat e qytetarëve të Tiranës.

Ndaj Ndryshimi është në dorën tuaj më 14 Maj, duke votuar për Belind Këlliçin dhe për një Këshill të ri Bashkiak, që nuk do të lejojë më këto lloj standarde punimesh dhe abuzim me taksat tuaja./Albeu.com/