Prefekti i Beogradit hyn me leje ne Kosove
Albeu.com
Autoritetet përgjegjëse vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë i kanë dhënë leje prefektit të Beogradit, Dragan Djilas, për të vizituar gjatë ditës së martë disa lokacione në Kosovë.
Policia e Kosovës bëri të ditur se do t’i ofrojë përcjellje zyrtarit serb gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, pasi që, siç thuhet, janë respektuar procedurat e nevojshme që mundësojnë vizitën e tij.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, i tha Radios Evropa e Lirë se kërkesa për përcjellje policore i është adresuar Policisë së Kosovës nga Qeveria e vendit, dy ditë më parë.

“Policia e Kosovës ka pranuar një kërkesë të aprovuar për vizitë zyrtare nga Djilasi, ose kryetari i kuvendit komunal të Beogradit, për të bërë një vizitë në Republikën e Kosovës. Si kërkesë e aprovuar, përgjegjësi e Policisë së Kosovës është që të ofrojë përcjellje policore derisa të përfundojë vizita”, bëri të ditur Beka.

Ndonëse nuk mund të konfirmohet zyrtarisht, thuhet se përfaqësuesin e Beogradit pritet ta shoqërojë edhe këshilltari i presidentit të Serbisë, Mllagjan Gjorgjeviq.

Kërkesa për vizitë e këtij të parit thuhet se i është drejtuar, kohë më parë, Zyrës së Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, e cila këtë kërkesë ia ka përcjellë Ministrisë së Punëve të Jashtme, ndërsa vendimin për ta lejuar vizitën thuhet se e ka nënshkruar një nga zëvendëskryeministrat e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë, Arbër Beka, dha detaje lidhur me lokacionet, në të cilat pritet të realizohet vizita e Djilasit.

“Në bazë të agjendës së paraparë, kryetari i Beogradit do të vizitojë disa fshatra, pastaj manastirin e Deçanit e kështu me radhë”, tha ai.

Pa marrë leje nga autoritetet vendase, gjatë fundjavës së shkuar, ish-kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, dhe ish-ministri në Qeverinë e tij, Sllobodan Samarxhiq, kishin hyrë në veri të Kosovës për të zhvilluar fushatë parazgjedhore për zgjedhjet lokale të Serbisë, të cilat janë paralajmëruar të mbahen edhe në veri, në fund të këtij muaji.

Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës kanë theksuar nevojën për shtimin e masave të sigurisë në veri të vendit, për të parandaluar hyrjen pa leje shtetërore të, siç thuhet, zyrtarëve që nuk respektojnë Kushtetutën e Kosovës. /rel/
Shtuar më 25/05/2010, ora 15:20
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori