Prapaskenat e shkarkimit të Fullanit, ja qëndrimi i Këshillit Mbikëqyrës
Pëlqej
Edhe pse pritshmëritë ishin pothuajse të qarta për shkarkimin e Ardian Fullanit nga posti i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Këshilli Mbikëqyrës nuk ka qenë unanim në diskutimet për largimin e tij. Gazeta Panorama zbardh sot pjesë të debateve të mbledhjes së këshillit mbikëqyrës, ku sipas burimeve të brendshme, është dashur një kohë e gjatë për të bindur të gjithë anëtarët për shkarkimin.

Propozuesit e shkarkimit kanë qenë tre nga anëtarët: Adrian Civici, Ermelinda Meksi dhe Ela Golemi. Këta të fundit kanë mbrojtur kërkesën e tyre, me faktin që janë përmbushur të gjitha kushtet për shkarkimin e tij. Por, gjatë mbledhjes kanë hasur në rezistencën e fortë të anëtarëve të tjerë.

Dhori Kule dhe Petraq Milo kanë hezituar të votojnë. Pjesë e tyre, por në heshtje, ka qenë edhe Elisabeta Gjoni.

Mbledhja ka vijuar me tone të ashpra, deri në kërcënimin e Ermelinda Meksit, e cila në një moment të mbledhjes ka vendosur të dalë prej saj, duke theksuar se do të denonconte publikisht qëndrimin e anëtarëve të tjerë të Këshillit.

Pas këtij veprimi, duket se anëtarët e tjerë janë tërhequr dhe kanë vendosur të votojnë për shkarkimin e Fullanit. Në fund, votimi ka dalë 5 me 0. Elisabeta Gjoni, edhe për shkak se pas këtij votimi do të ishte ajo administratorja e Bankës, nuk ka marrë pjesë. /albeu.com/
Shtuar më 07/09/2014, ora 14:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori