Prapaskenat e shfaqjes së "rastësishme" të Fatos Nanos
Fatos Nano u shfaq këtë të dielë aspak rastësisht duke votuar në Mullet edhe pse u tentua për qëllime te ditura që mesazhi të hidhej në qarkullim se ishim të bënim me një zhvillim spontan.

Mesazhi i parë i dhënë është se Nano doli në mbështetje të maxhorancës duke zgjedhur të votojë në një moment kur opozita kishte vendosur bojkotin. Në këtë mënyrë ai i dha një dorë Ramës në luftën e tij për të nxjerrë sa më tepër shqiptarë në kutitë e votimit.

Por, nëse vërejmë periudhat se kur Nano shfaqet në publik duke i dhënë dorën njëherë Ramës dhe një herë Berishës, ato përkojnë fiks sa herë fillon të flitet për postin e Presidentit të Republikës, shkruan Albeu.com.

Nano e ka ëndërr atë derë dhe që kur u përzu nga PS-ja prej Ramës dhe të tijtë ka punuar për të hyrë aty.

Nano doli në krah të Berishës në shkurt 2007, kur Rama tha se do të bojkotonte zgjedhjet lokale. Madje ata shtrënguan duart live, gjë e cila u lexua nga socialistët si një thikë pas shpine për liderin e ri socialist, Edi Rama.

Në atë periudhë po i mbaronte mandati Alfred Moisiut, ndërkohë që Berisha nuk i kishte numrat në Kuvend për të zgjedhur presidentin që donte vetë.

Nano u shfaq po ashtu në media përmes një interviste në vitin 2012 duke mbështetur sërish maxhorancën e kohës kundër Ramës. Madje mesazhet e atëhershme të Nanos kundër Ramës që po protestonte nga jugu në veri ishte një goditje e fortë ndaj kauzës së tij. Për arsye se Berishës i duhej një besnik në Presidencë ndërkohë që po linte pushtetin, Nano sërish nuk u bë President.

Nano u shfaq sërish, tashmë duke i dhënë një dorë Ramës. Maxhoranca ka ndërmarrë një procedurë shkarkimi ndaj Metës dhe siç po shkojnë gjërat, nëse nuk e shkarkojnë Meta ka për të ikur vetë nga ajo zyrë. Kështu, Nano mendon se i është hapur sërish rruga për në Presidencë. E treta e vërteta sipas tij. /albeu.com/
Shtuar më 02/07/2019, ora 15:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori