Berisha nga Fieri: Basha na doli “farë e keqe”, çoi PD nga humbja në humbje

Ish-kryeministri Sali Berisha ndodhet në Fier, ku po zhvillohet një aktivitet për 31-vjetorin e themelimit të degës së PD-së në atë qytet.

Berisha nuk ka lënë pa përmendur në fjalimin e tij, kryetarin e PD-së Lulzim Basha, për të cilin tha se i doli “farë e keqe” që e çoi opozitën nga humbja në humbje.

“Sot kemi shumë detyrime për të shprehur mirënjohje të thellë ndaj atyre grave dhe burrave të Fierit që themeluan në 6 janar të 1991 në Fier partinë e parë opozitare. Terrori i kuq na shoqëronte nga një komunë në një tjetër, nga një fshat në një tjetër. Jo të rralla ishin rastet, kur na gjuanin me gurë dhe përpiqeshin të na bllokonin rrugën.

Ne armë të vetme kishim tolerancën. Udhëheqja e kësaj force politike në Tiranë tregoi dobësi dhe mjaft probleme të tjera. Njeriu që demokratët i besuan drejtimin solli forcën tonë politike nga humbja në humbje. Ai dështoi në çdo nismë që mori në 8 vite. Ai nuk u bë kurrë lideri i besueshëm. Fara e keqe, e tillë mbetet, e thotë populli me mençuri.

Dje më pyeste një mik; si ka mundësi ky njeri? Asnjë mundësi nuk ka, veçse ishte një farë e keqe që ne nuk e kuptuam. Asnjëri njeri nuk ka shfaqur standardet e ulëta morale politike të këtij njeriu në 30 vite.

Ai dëshmoi se është i zhveshur nga cdo parim dhe se është gati që për karrigen e tij të bëjë gjithçka, pasi kaloi nga humbja në humbje 8 vite, u thotë shqiptarëve më ndiqni “se jam e ardhmja”, por ai është “humbja, humbja, humbja”.

Opozita sot po drithëron Ramën dhe për tre muaj i dha vendit ato mrekulli që Shqipëria nuk i kishte parë kurrë më parë” deklaroi ai. Të shtunën Berisha ka njoftuar protestën para selisë së PD-së ku ka paralajmëruar se “Bashën do ta nxjerrim butësisht nga zyra”, tha Berisha./albeu.com


Shtuar 6.01.2022 14:51