Pranga inspektorit të Policisë Kufitare, i mungonin 12 mijë fishekë luftarakë
Një inspektor i Policisë Kufitare në Qafë-Prush të Kukësit është prangosur pasi akuzohet për "shpërdorim të detyrës". Ai u ndalua pas një hetimi disa mujor të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme.

"Mbi bazën e hetimeve të kryera nga Drejtoria e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Tiranë, Gjykata e Shkallës Parë Tiranë ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, ndaj punonjësit të policisë, inspektor Përparim Dautaj, me detyrë magazinier dhe instruktor qeni, në Stacionin e Policisë Kufitare Qafë-Prush, Kukës.

Në ngarkim të këtij punonjësi policie, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

Nga hetimi disa mujor, zhvilluar nga Sh.Ç.B.A-së ka rezultuar se punonjësi i policisë, inspektor Përparim Dautaj, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, në kundërshtim me aktet që normojnë punën për administrimin dhe ruajtjen e vlerave materiale, i mungonin në inventarin e magazinës së municioneve një sasi prej 12 mijë fishekësh luftarakë, me vlerë prej 600 mijë lekë.

Sh.Ç.B.A-së në datë 17.02.2016 bëri ekzekutimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për punonjësin e policisë Përparim Dautaj, i cili ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës". /albeu.com/




Shtuar më 17/02/2016, ora 10:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori