Pranga 50-vjeçarit në Tiranë, përndiqte vajzën e fqinjit dhe rrihte babanë
Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 50-vjeçar, për ushtrimin e dhunës në familje, pasi kishte rrahur në mënyrë sistematike babanë e tij të moshuar. Më pas u zbulua se ai kishte rrahur dhe fqinjët e tij, babë e bir, në rrugën "Hoxha Tahsim". Arsyeja e dhunës rezultoi të ishte përndjekja e vajzës 25-vjeçare të fqinjit, së cilës ai i kërkonte lidhje në mënyrë të vazhdueshme.

Sipas policisë i arrestuar është shtetasi, Edmond Vangjeli, pasi u denoncua për dhunë në familje nga i ati 82-vjeçar. Gjatë deklarimeve të tij në Polici, i moshuari pretendoi se djali e rrihte në mënyrë sistematike, për shkak se i kishe kërkuar të mos ngacmonte më vajzën e fqinjit.

Përveç kallëzimit të të atit, policia ka nisur verifikimet e deklarimeve të tij, duke pyetur fqinjët, shtetasit I.S, 50 vjeç dhe djalin e tij A.S. 24 vjeç.

Këta të fundit jo vetëm që kanë konfirmuar deklarimet e 82-vjeçarit, por bënë të ditur kallëzim për dhunë fizike që Vangjeli kishte ushtruar ndaj tyre. Tri kallëzimeve për dhunë fizike iu bashkëngjit edhe një denncim i katërt, kësaj here për përndjekje.

Ndërkohë 25-vjeçarja pas marrjes në pytje nga Policia, deklaroi se 50-vjeçari e përndiqte prej një viti dhe ajo i kishte treguar babait dhe vëllait të saj, duke dashur që çështja të mos kalojë në polici duke qenë se ishin fqinj. Ndërkohë duket se 50-vjeçari nuk ka ndaluar përndjekjen por për tu "hakmarrë" kishte ushtruar dhunë dhe ndaj babait të tij që ishte kundër këtij veprimi. /albeu.com/

Shtuar më 08/01/2016, ora 09:47

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori