Albin Kurtit s’i shkon fjala në Luginë, shkarkohet Kryetarja e Preshevës

Kuvendi komunal në Preshevë me 20 vota pro ka shkarkuar Ardita Sinanin nga pozita e kryetares së Komunës së Preshevës në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur sot.

Sinani madje kishte kërkuar që kjo seancë të shtyhej, për shkak të vizitës së saj zyrtare në Kosovë.

Megjithatë, Kuvendi u mbajt, por shkarkimi i Sinanit u kundërshtua.

Ajo zgjodhi Facebookun për të falendëruar përkrahësit.

“Faleminderit të gjithëve për përkrahjen. Në Luginë, në Kosovë, në Shqipëri, në Mergatë. Bashkërisht do ta përmirësojmë degradimin e politikës shqiptare në Luginën e Preshevës” ka shkruar ajo.

Kujtojmë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka përkrahur iniciativën për shkarkimin e Ardita Sinanit nga pozita e kryetares së Preshevës.

Gjatë një takimi të zhvilluar sot me përfaqësuesit e Luginës, ku e pranishme ishte edhe Sinani, Kurti bëri thirrje të mos mbështeten tentimet për acarim mes shqiptarëve, pjesë të së cilës e pa edhe synimin për ta rrëzuar nga pozita e kryetares së Preshevës Ardita Sinianin.

“Pas shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, znj.Ardita Sinani. Përçarja e ndarja janë gabim dhe bëhen dëm” u shpreh kryeministri Kurti në mëngjesin e sotëm.