Popovski: Pakicat të regjistrohen
Ministri i Jashtëm maqedonas Nikolla Popovski apeloi nga Tirana që procesi i censusit të përcaktohet nga perspektivat dhe vlerat europiane. Duke iu referuar faktit se pakicat maqedone në Shqipëri kanë paralajmëruar bojkotin e këtij procesi, kryediplomati maqedonas i bëri apel pakicave kombëtare maqedonase të regjistrohen.

"Perspektivat europiane janë në interesin e të dy vendeve. Vlerat europiane janë ato që duhet të përcaktojnë proceset integruese. Duhet të promovojmë të gjitha vlerat që disponojmë në mënyrë që të integrohemi në BE; duhet të bëjmë gjithçka që të integrohemi në BE", deklaroi ministri i Jashtëm maqedonas gjatë konferencës së përbashkët me kryediplomatin shqiptar Edmond Haxhinasto, në kuadër të vizitës zyrtare në Tiranë.

Nga ana e tij zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto deklaroi se procesi i Censusit në Shqipëri po kryhet në bazë të legjislacionit europian dhe ai ofron të gjithë hapësirën e nevojshme që rezultati të jetë në përputhje të plotë me numrin e vërtetë të pakicave të ndryshme etnike në vend.

Në qendër të diskutimeve, bëri me dije ministri Haxhinasto ishin përpjekjet maksimale për bashkëpunimin bilateral në fusha të ndryshme, dhe mbi të gjitha në funksion të integrimit në BE.

"Diskutimi ynë u fokusua në integrimin ekonomik, në shkëmbimet mes dy vendeve, në hapat konkretë për të realizuar lëvizjen pa pasaporta drejt dy vendeve, vetëm me karta identiteti; për lehtësimin e procedurave doganore dhe krijimin e shërbimit më të mirë kufitar mes dy vendeve", theksoi zëvendëskryeministri Haxhinasto.

Ai tha se në qendër të diskutimit ishte edhe Kosova, tensionet në veri të saj, dhe kontributi i shtetit të ri në të mirë të paqes dhe sigurisë.
Ndërkohë kryediplomati maqedonas Nikolla Popovski që vjen në Tiranë në kuadër të turit ballkanik, tre muaj pas emërimit të tij si ministër i Jashtëm, deklaroi se "Folëm për krijimin e një qendre kontakti mes dy ministrive të Jashtme si një hap përpara në marrëdhëniet mes dy vendeve. Realizimi i projekteve tona është në interes të përbashkët", tha ministri maqedonas Popovski.

Kreu i diplomacisë maqedonase do të takohet edhe me kryeministrin Sali Berisha, Presidentin e Republikës Bamir Topi, kryeparlamentaren Jozefina Topalli dhe përfaqësues të minoritetit maqedonas në Shqipëri. /albeu.com/
Shtuar më 03/10/2011, ora 11:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori