Vjedhjet e votave në Dibër, PD tregon përse hesht ministri Lleshaj

Partia Demokratike ka reaguar sërish për arrestimin e vëllait të kryepolicit për vjedhjet e votave në Dibër duke ngritur pyetjet: “Pse hesht ministri Lleshaj dhe policia e narko-shtetit?!”

“Bandat të lidhura me uniformën e shtetit.

Nuk mjaftojnë denoncimet e bëra nga Partia Demokratike në lidhje me suportin që persona me rekorde kriminale ushqejnë dhe mbajnë në Policinë e Shtetit, drejtues të cilët janë përfshirë në dosjen 184 ose siç njihet dosja e Dibrës.

Sipas Ministrit Lleshaj nuk janë prova përgjimet e bëra nga Prokuroria Shqiptare, nuk janë prova informacionet e siguruara nga Shërbimet Inteligjente Shqiptare dhe ato të Agjencive të Huaja të Inteligjencës”, tha Xhemal Gjunkshi duke u bazuar tek përgjimet e publikuara nga BILD.

Gjunkshi tregoi arsyen përse është kjo heshtje nga qeveria Rama.

“Janë pikërisht lidhjet e forta të krimit, grupeve të strukturuara kriminale që mbështesin, ushqejnë, drejtojnë dhe komandojnë në këtë vend. Drejtuesit e Policisë së Shtetit, Ministri Lleshaj janë të pafuqishëm për të luftuar krimin, rrjetet e strukturuara kriminale.

Nuk ka asnjë shpjegim që ish Shefi i Komisaritit Dibër, Robert Aga i përfshirë në Dosjen 184, në vjedhjen e votave në Dibër, në kundërshtim me ligjin vazhdon të qëndrojë në radhët e Policisë. Ligjin e bën i forti.

Janë këto të fortë që ecin si Padrino, jo vetëm në Dibër por kudo”, shtoi Gjunkshi.

Në shkrimin e tij në Facebook, Gjunkshi theksoi se Rama hesht dhe vazhdon të mbajë në radhët e policisë drejtues, të përfshirë në veprimtarinë kriminale të mbjelljes dhe trfikimit të lëndëve narkotike.

“Vëllai i tij Pajtim Aga, i ndaluar në vitin 2016 në Lezhë, për përfshirje trafik kokaine, mbrëmë kapet dhe ndalohet në flagrancë në grupin e tregtimit të lëndëve narkotike në formë çokollate.

Asnjë reagim nga Ministri Lleshaj!!!

Asnjë reagim nga Narko-Policia!!!

Kjo është Policia e këtij Narko – Shteti”, përfundoi Gjunkshi.


Shtuar 18.01.2020 15:18