Pollo: Transparencë për universitetet, skema e Ramës korruptive
Pëlqej
Deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo në një reagim të tijin në lidhje me mbylljen e universiteteve shënjestron sërish qeverinë Rama, duke u shprehur se kontrolli në këto universitete u bë me nxitim dhe pa transparencë, nëpërmjet një skeme korruptive siç tha ai.

"Këtë javë kryeministri i kontrastit xhenem/xhenet (dmth xhenemin e gjeta, xhenetin do ta sjell unë ndoshta vitin tjetër), foli për universitetet publike dhe private; këtë radhë me pasoja të rënda. Së pari duhet të theksoj se Partia Demokratike është për ligjshmëri, zbatimin korrekt të normave në fuqi dhe të standardeve zyrtare; si edhe në rastet kur këto shkelen për masa proporcionale. Dhe jemi të ndërgjegjshëm për problemet, mangësitë, shkeljet në Arsimin e Lartë si dhe për nevojën e një regjimi kontrollues rigoroz dhe masat përlatëse sa herë konstatohen shkeljet. Por Kontrolli i Ministrisë së Arsimit në universitetet e vendit duket se është bërë me nxitim, me kontrollorë që së shumti janë marrë andej këtëj, pa njohuri për legjislacionin e fushës, me raste plot si kryeinspektorja edhe me diplomë fallco edhe donator e Partisë Socialiste. Por qartazi me yshtje se ku duhej të dilnin me raportin e tyre. Materialet e ofruara nga universitetet kanë fjetur me javë në kutitë e kepucëve, dhe nuk janë konsultuar fare nga kontrollorët. Edhe komentet e universiteteve që erdhën më vonë duket se patën të njëjtin fat. Është e qartë pse raporti zyrtar përfundimtar i ministrisë përmban vetëm listën e ndëshkimeve për secilin universitet por aspak gjetjet dhe shkeljet për secilin syresh, çka do të bënte transparente ose në rastin më të mirë mund të justifikonte masën e marrë. Madje edhe VKM-ja përkatëse, e miratuar të enjten në qeveri, nuk është publikuar në websitin e kryeministrisë (të gjitha VKM-të e tjera janë publikuar); nuk është publikuar sot e kësaj dite as në ëebsite-in e ministrisë së arsimit", sqaroi Pollo.

Sipas deputetit, Partia Demokratike përkrah kërkesën e profesoratit dhe të universiteteve për transparencë të plotë të kontrollit të ministrisë; të gjetjeve e shkeljeve të ministrisë ashtu siç janë shkruar e janë fshehur dhe pret që zonja Nikolla t’i bëjë ato publike menjëherë.

"Vërejme se për mbylljen e të gjitha filialeve universitare e të 63 programeve të studimit është shkelur procedura ligjore, as nuk janë marrë propozime nga institucione të arsimit të lartë dhe as nuk është konsultuar Këshilli i Akreditimit siç e kërkon ligji. Po kështu u veprua me miratimin e kuotave ku nuk u konsultua as Konferenca e Rektorëve dhe as Këshilli i Arsimit të Lartë e Shkencës siç e kërkon gjithashtu ligji. Edhe pse kishin një vit kohë. Ministrja dhe z. Rama pretendojnë se ka shkelje me pranimet në mastera e doktoraturë; mund të jetë kështu, nuk habitemi, por duhet thënë se kush e ku, saktë. Ironike është se edhe për pranimet në bachelor, qeveria parashikon të eleminojë Maturën Shtetërore dhe të kthejë konkurset korruptive të stadiumeve që na nxinë faqen deri në vitin 2005, dhe kjo është ironia e gjësë", tha ai më tej.

"Përpos që raporti është qëllimisht mjegullor se thotë: 70% e universiteteve kanë marrë vendime ne shkelje të normave, por nuk kuptohet sa e rëndë është shkelja, as cilet janë universitet a janë këto vendime një apo njëqind? A janë 1% apo 100% të totalit të vendimeve që janë me shkelje? E vetmja gjë e qartë është kërcënimi se do shkarkohen e zëvendësohen drejtuesit nga rektori tek dekani tek kancelari ndoshta edhe më poshtë. Dhe precedentin e kemi të qartë: para tre muajsh qeveria solli në Kuvend nje p/ligj që do të shkarkonte të gjithë drejtuesit akademikë të Universitetit të Mjekësisë. Mazhoranca u përça e ligji nuk u miratua por kjo nuk e pengoi Ministren të pezullojë e më pas të shkarkojë dekanin e zgjedhur të Fakultetit të Mjekësisë edhe kundër vendimit të gjykatës. Por më pas zgjidhja më e mirë do të ishte shpallja e zgjedhjeve në Fakultet, e dyta më e mira do të ishte të komandohej zv/dekani deri në zgjedhjet e përgjithshme. As njëra as tjetra nuk ndodhi dhe qeveria emëroi dekan vëllain e deputetit socialist nga Mallakastra. A nuk ju premtoi z.Rama se me rilindjen e xhenetit nuk do të kishte më nepotizëm dhe favoritizëm? Vërej gjithashtu për universitetet private ku politikanë të lartë të mazhorancës nga grupi parlamentar dhe deri tek anëtarët e qeverisë e deri te zyra e ministres që janë pronarë e administratorë i shpëtuan sopatës. Edhe në ndonjë rast kur konkluzioni i kontrollorëve ishte pozitiv, në finale çuditërisht universiteti përfundoi me heqje license. Çështja është se sic ndodhi me operacionin “marrëzia e fundit”, në fakt rezultoi e para, pas të cilit rilindën kazinotë si kurrë më parë; pritet të shohim në çfarë forme, në çfarë pronësie do të rilindë arsimi privat. Mungesë ndjeshmërie qeveritare, post-ateiste ose jo, me mbylljen e universiteteve të lidhura me komunitetet fetare. Teknikalitet jothelbësore kanë peshuar më rëndë për qeverinë se fryma e moralit e tolerancës fetare që kultivohet aty. Arsimit të lartë privat krahas përkrahjes i duhej edhe një regjim i fortë mbikqyrje e korrigjimi që ti orientonte ato tek rregullsia e plotë e tek standartet zyrtare. Fatkeqsisht qeveria zgjodhi sopatën jakobine e shtratin Prokrustit. Kështu u çuan dëm miliona euro të investuara në arsim. Dhe u krijua një problem i madh e vërtet i paprecedent për 8 mijë studentë që ngelën rrugëve si pasojë e sëpatës Rama. Do të pranohen ne fakultetet publike duke thyer parimin e meritës (studentëve të vitit të tretë bachelor me mesatare 9 të Maturës do tu bashkohen ata me mesatare 6 të maturës) apo në ato fakultetet private ku tarifa mund të jetë dy e trefish dhe xhepi nuk jau mban studentëve të lënë në rrugë. Ministria ka heshtur për këtë", tha Pollo më tej.


Pollo nuk nguroi të ironizojë ehe kryeministrin dhe postimet e tij në Twitter.

"Dhe së fundi për zotin Rama që është në harresë të plotë të premtimit të tij për të rritur financimet për arsimin, 5 përqind ka thënë, por për z.Rama do të thoja, që fyerjet kolektive për profesoratin dje si lider opozite ishin të shëmtuara, sot si kryeminstër janë të pafalshme. Por z. Rama si kampion i inkonsistencës që është u tall, ridikulizoi doktoraturën e nje dokoranti në Tiranë. Para tre muajsh kur vizitoi Francën ai shpalli se ky person, doktoranti i Tiranës i bën krenar të gjithë shqiptarët anembane. Shiheni cicërimen e tij ne twitter. Apo ç’më duhet mua se çfarë them unë", u shpreh deputeti demokrat. /albeu.com/
Shtuar më 10/08/2014, ora 12:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori