Pollo: Rama po mbron falsifikatoren
Pëlqej
Ish-Ministri i Arsimit, Genc Pollo akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se po merr në mbrojtje kryeinspektoren e Arsimit me doktoraturë fallco dhe po shtron terrenin për fallsifikime të reja.

"Ndërkohë që shpresonjësit e rralluar të Neorilindjes së xhenetit do të kishin dashur që një kryeinspektore, e cila çan përpara me diplomë fallco në dorë, të ishte shkarkuar nga qeveria që e emëroi aty, ndodhi ajo që tifozët nuk e dëshironin e kundërshtarët nuk e prisnin.Jo Ministria e Arsimit por vetë kryeministri, z.Rama i doli në krah dhe ju bë mburojë fallsifikatores donatore. Nuk besoj se i ka detyrime personale asaj. Më shumë prirem të mendoj se zoti Rama me këtë gjest vendosi digën e mbrojtjes edhe për anëtarë të qeverisë që mund të dalin me diploma fallco e probleme të ngjashme.
Pasi në Evropën ku duam të integrohemi, siç thotë shpesh z.Rama qeveritarët japin dorëheqje edhe për shkak të plagjiaturës në punimet e tyre.
Sa për zëvendësminstrin pa CV, ju kujtohet apo jo që sapo plasi skandali i kryeinspektores donatore e fallsifikatore, e hoqi me nxitim CV e tij nga websiti i ministrisë, do të thoja që virusi i zhdukjes se CV-ve po prek edhe website qeveritare të tjera." tha Pollo.


Në përgjigje të akuzave ndaj tij për kohën kur ishte Ministër Arsimi, Pollo tha se qeveria e sotme do të dilte e nderuar po të bënte edhe 10% të ndryshimeve pozitive të asaj kohe.

"Sa për reformat në arsim e akuzat ndaj meje qeveria e sotme do të dilte e nderuar po të bënte edhe 10% të ndryshimeve pozitive të asaj kohe, do të dilte e nderuar edhe vetëm po të konsolidonte atë që u arrit.
Sa për universitetet private le ti kthehemi shifrave të qeverisë: Janë mbyllur nga qeveria 39% e universiteteve private, janë lejuar të vazhdojnë punën 61% syresh. Në universitetet private të mbyllura ishin 40% e studentëve; në ato që vazhdojnë janë 60% e studentëve.
Ta zemë për një çast se në rastet e universiteteve që u mbyllën nuk kishte probleme me kryeinspektoren, me inkompetencën, me partishmërinë, me favoritizmin, me rryshfetin e xhenetin. Megjithëse ministria ende mban të fshehur raportin me gjetjet e shkeljet individuale për cdo universitet." u shpreh me tej Pollo. /albeu.com/
Shtuar më 16/08/2014, ora 13:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori