Pollo: Kuotat e pranimit miratohen në fund të muajit
Pëlqej
Albeu.com
Në varësi të kuotave, maturantët mund të llogarisin vetë shanset për pranime në universitete. Gjatë provimeve do të ketë masa të rrepta sigurie. “Sekretin e dinë 3-4 vetë dhe nëse del, ata përballen me drejtësinë”.Kuotat për pranimet në universitete do të miratohen në fund të këtij muaji. Kështu, maturantët do të kenë mundësi të bëjnë secili llogaritë se në cilën degë kanë më shumë mundësi për të garuar mes mesatares, para se të mbyllet koha e regjistrimit. “Ne presim që Këshilli i Ministrave në fund të këtij muaji të miratojë kuotën e pranimeve në universitete; pra jo në shtator e gusht, por që në shkurt”, - tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, dje gjatë një interviste në emisionin “Ora 7” të gazetares Ilva Tare në televizionin “Klan”. Sipas Pollos, ky do të jetë një shans më shumë për maturantët e një hap më shumë drejt transparencës së procesit për maturën shtetërore. “Nëse maturanti Agim p.sh. do të kandidojë për shumë gjëra nga mjekësia në juridik, siç ndodh sot, atëherë ai e di që për mjekësi janë p.sh. 100 vende dhe 3 000 konkurrentë, por në inxhinieri mekanike 150 vende dhe 200 konkurrentë. Kështu, dora-dorës ai do të llogarisë shanset e veta”, - ka sqaruar Pollo, duke shtuar se koha është e mjaftueshme për të bërë llogaritë. “Nëse më 15 prill ka edhe dy javë për t’u regjistruar, ai mund të llogarisë që shanset e tij në disa fakultete janë të pakta, në fakultete të tjera janë më të larta. Kështu, ai merr vendimin e duhur për vete”, - tha ai. Sipas ministrit, problemi i ndeshur vitet e shkuara ka qenë mosdija e këtyre fakteve dhe kjo ka bërë që shumë studentë të humbasin mundësinë për të vazhduar studimet e larta, vetëm se nuk kanë bërë regjistrimin e duhur, edhe kur ky ka qenë i mundshëm.
Regjistrimet
Sa për regjistrimet, ato janë deklaruar se do të nisin më 1 mars deri më 30 prill. “Maturantët do të regjistrohen në fakultetin ku ata zgjedhin, por edhe në 7 fakultete njëherësh nëse duan”, - ka deklaruar Pollo, duke shtuar se nuk ka asnjë kufizim në të drejtën për t’u regjistruar. Paralelisht, sipas tij, dokumentet e formularët do të regjistrohen në shkollë. ”Shkolla këtë dokument, d.m.th. listën e maturantëve që ajo mbulon, do ta çojë në Drejtorinë Arsimore të Rrethit dhe kjo e fundit, në Qendrën Kombëtare e Arsimit për Vlerësimin e Provimeve”, - tha ai.
Masat e sigurisë
Megjithëse nuk ka mekanizëm ideal të rënë nga qielli, matura shtetërore do të zhvillohet në masa të rrepta sigurie. Sipas Pollos, gjithçka do të jetë e mbikëqyrur më së miri e për çdo gjë që mund të ndodhë përgjegjësia do të jetë individuale e me pasoja serioze. “Sekretin mund ta dinë 3-4 vetë dhe nëse del, këta persona mund të kalojnë një kohë të gjatë pas hekurave”, - tha ai, duke renditur si elementë sigurie, përqendrimin në Tiranë i 30 000 testeve të mbushura që do të jenë anonime dhe që do të shpërndahen në masa sigurie, që nuk do të kenë emrin e maturantit, por një bar kod të lexueshëm vetëm nga kompjuteri, si kodi me vija të zeza i produkteve që blejmë në supermarket, përqendrimi në një godinë të vetme të rrethuar nga policia e deri te vrojtimi me kamera i të gjithë aktiviteteve që bëhen brenda.
Provimet në orën 9
Testi për provimet do të shpërndahet në orën 9.00 të mëngjesit. Sipas ministrit Pollo, në këtë kohë nuk ka më sekrete, ndërkohë që maturantët do të administrohen jo nga mësuesit e shkollave të tyre, por nga të tjerë të panjohur. “Kjo do të bëhet në mënyrë që lidhjet e krijuara gjatë 4 viteve të mos mund të favorizojnë dikë dhe të defavorizojnë dikë tjetër”, - tha Pollo, duke shtuar se në Qendrën Kombëtare Arsimore të Vlerësimit të Provimeve përgjegjësia do të jetë individuale. Ndërkaq, sipas tij, ndarja e bërë mes mesatares së 4 viteve (20%) dhe maturës shtetërore, (80%) është më e mira për momentin, kur ka tentativa për falsifikime dëftesash, çka do të sillte edhe probleme me vërtetësinë e tyre.

Zgjedhjet
Reforma, debat me Konferencën e Rektorëve
Ministria e Arsimit nuk ka shpallur asnjë synim apo amendament që të çon në emërimin e rektorëve e dekanëve. Kështu është shprehur kreu i arsimit, Pollo, për reformën në universitete, duke pranuar se për këtë do të ketë një debat me Konferencën e Rektorëve dhe vetë universitetet. “Ka pasur një debat të gjerë dhe shumë opsione në tryezën e grupit të punës në ministri si është normale deri te përfundimi i varianti që quhet më i dobishëm, më i frytshëm dhe më i përshtatshëm për rrethanat konkrete ku jemi. Nuk ka qenë asnjëherë synimi i ministrisë apo i qeverisë në tërësi të emërojë rektorët apo dekanët: ata do të zgjidhen nga personeli akademik, punonjësit e tjerë dhe nga studentët, si janë zgjedhur më parë. Mund të ndryshojë roli i studentëve, mund të marrin pjesë të tërë ata dhe jo të përzgjedhurit e tyre, pasi zgjedhjet brenda studentore ende nuk janë konsoliduar në shkallën e duhur”, - tha Pollo, duke theksuar se pesha specifike e votës së tyre mund të jetë 20 apo 30%. Sipas tij, bordi në shumicë mund të jetë nga të zgjedhurit në radhët e universiteteve pra nga profesorët, por në pakicë mund të jenë përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë, të biznesit të cilët i cakton aty shteti. “Është një formulë që mund të diskutohet; nëse janë 9 persona, 5 mund të jenë nga universitetit. Formula është ende e hapur për konsultime me palët e interesuara”, - tha ai. Nga ana tjetër, ai ka theksuar nevojën për rritje të transparencës së financave në universitete, pasi ka pasur kritika për klimë tarafi në punësime apo edhe denoncime për abuzime të ndryshme. “Universitetet publike financohen pothuaj 100% nga shteti, po të përfshijmë edhe tarifën shkollore që paguajnë vetë studentët, dhe universitetet si çdo ent i financuar nga paraja publike ka detyrimin të jetë transparent me mënyrën se si i shpenzon ato para”, - tha ai, duke shtuar se kontrolli financiar nga ana e ministrisë nuk është i mjaftueshëm, por një bord do të ishte i nevojshëm dhe ne parashikojmë ta instalojmë që me zgjedhjet që do të mbahen pas disa javësh. “Një bord i cili të ketë përgjegjësinë e të drejtën për të vrojtuar mënyrën se si trajtohet administrata dhe buxheti i universiteteve dhe para të cilit të zgjedhurit, organet drejtuese të universiteteve të raportojnë”, - tha ai.
nga Bruna Prifti, Shekulli
Shtuar më 15/02/2006, ora 09:41
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori