Politikanët vazhdimisht e lexojnë të njëjtin libër
Albeu.com
Politikanët në përgjithësi nuk lexojnë aspak, ose vetëm ndonjë rresht romani. Dy nga tre deputetët e intervistuar para një viti dhe tani, duke u përgjigjur në pyetjen se çfarë lexojnë, i numëruan titujt e librave që i kishin numëruar para një viti.Politikanët, në përgjithësi nuk lexojnë aspak, ose vetëm ndonjë rresht romani. Dy nga tre deputetët e intervistuar para një viti dhe tani nga “Lajm”, duke u përgjigjur në pyetjen se çfarë lexojnë, i numëruan titujt e librave që i kishin numëruar para një viti. Vitin e kaluar, sipas tyre, ata lexonin afërsisht një libër e gjysmë në muaj, ndërsa sivjet, sipas asaj që i thanë “Lajm”- it, del se ata lexojnë shumë më pak. Pra, sipas llogarive matematikore, ata lexojnë vetëm dy libra, ose mesatarisht nga një faqe në ditë.
Tre librat e fundit që ka lexuar Zydi Xhelili, deputet i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) janë: “Hitleri dhe gratë” të autores Eva Braun, “Kodi i Davinçit” nga Dan Brown dhe “Jeta ime” të Jerome Cardon.
Ndërkohë që vitin e kaluar në pyetjen se cilat janë tre librat e fundit që i ka lexuar, deputeti Xhelili pati thënë: “Diplomacia” e Henrry Kisinger-it, “Hitleri dhe gratë” të autores Eva Braun dhe “Kodi i Davinçit” të Dan Brown. Kjo tregon se ai përsërit dy tituj të vitit të kaluar.
Në gjithë këtë, Xhelili thotë se më shumë lexon gjatë pushimeve verore dhe preferon letërsi të bestsellerëve. “Dikur lexoja Vernin dhe Balzakun, ndërsa tani lexoj libra me tema si këto që përmenda më lartë”, thekson ai.
Po ashtu edhe Ejup Rustemi, deputet i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) duke i numëruar tre titujt e fundit që i kishte lexuar sivjet, e përsërit një të vitit të kaluar. “I huaji” i Albert Camys, “Kodi i Davinçit” nga Dan Brown dhe “Diplomacia” e Henri Kisinxherit janë tre librat e fundit që ai ka lexuar. Ndërsa vitin e kaluar pati thënë që tre librat e fundit të lexuar janë: “I huaji” nga Albert Camy, “Në këtë stinë të qiellit” të autores Daniela Schtell dhe “Eskili ky humbës i madh” i Kadaresë. “Edhe pse kemi dëshirë të lexojmë më tepër, lexoj pak edhe atë zakonisht në mbrëmje, pasi jemi shumë të nxënë me punë”, tha Rustemi, i cili njëjtë me kolegun e PDSH-së, si periudhë më “produktive” të leximit i ka pushimet verore.
Romani është zhanri i vetëm që lexohet nga politikanët. Poezia asnjëherë nuk vjen në rend dite. Kurse libri mjaft i përfolur i autorit Dan Brown, “Kodi i Davinçit” është libri që e kanë lexuar gati të gjithë politikanët.

Ismet Ramadani nuk ndahet nga libri

Vetëm deputeti i Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), Ismet Ramadani ka bërë përparime në leximin e librave. Vitin e kaluar ai kishte lexuar të tjerë libra, ndërsa sivjet të tjerë. Që nga viti i kaluar ai ka lexuar një sërë veprash të autorëve të ndryshëm. “Momentalisht jam duke lexuar ‘Masonët’”, thotë ai. Tre librat e fundit që ka lexuar janë “Kodi i Davinçit”, “Beteja midis Zotit dhe djallit”, si dhe librin e Stojan Andovit. “Në orët e vona të mbrëmjes lexoj më tepër. Në dhomë e kam gjithnjë pranë librin dhe sa herë kam kohë, lexoj”, thotë ai.
nga ANILA DISHA, Lajm
Shtuar më 17/04/2006, ora 09:06
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori